Ushtari i FSK-së, A.K., që akuzohet se të premten në Shtërpcë plagosi dy të rinj serbë, në mesin e tyre edhe një 11-vjeçar, thotë se ai shkrepi me armë në vetëmbrojtje.
Avokati i tij, Naim Ferati, ka thënë se klienti i tij kishte qenë duke udhëtuar për në Brezovicë, kur vetura e tij ishte rrethuar nga një turmë e njerëzve që po festonin. Ai thotë se vetura e tij u sulmua me mjete të forta, dhe në tentim për të shmangur sulmin “ai kishte shkrepur me armë në tokë dhe në ajër”.
“Të lënduarve në këtë rast i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe ne shprehim keqardhje për ngjarjen e paqëllimtë dhe momentin në të cilën ka ndodhur ajo. Të premten i mbrojturi im derisa po udhëtonte me një shok të tij për të drekuar në Brezovicë, të njëjtit gjatë rrugës ishin ndaluar nga një turmë e qytetarëve të cilët po festonin në rrugë dhe të cilët e kishin bllokuar veturën e të mbrojturit tim dhe në mënyrë të befasishme e kishim sulmuar me mjete të forta, konkretisht me drunj”, ka thënë avokati A.K., Naim Ferati. “I gjetur në këto rrethana, e duke u ndier i rrezikuar nga sulmi serioz i turmës së njerëzve, i njëjti me qëllim të largohet nga aty kishte nxjerr revolen dhe duke e mbajtur në pozitë të ulët e duke mos e drejtuar ndaj asnjërit person, kishte shkrepur fillimisht në tokë e pastaj në ajër. Dhe nga ky moment i njëjti ishte larguar në Prevallë pa e kuptuar se nga ngjarja kishte të lënduar”.
Ferati ka thënë se me të kuptuar se ka të plagosur, i njëjti ka njoftuar familjarët e tij dhe po ashtu Policinë e Kosovës.
“Nga kjo kuptohet qartë se i mbrojtur im nuk ka pasur asnjë qëllim që të qëllonte apo lëndonte ndonjë qytetar, por e gjithë ngjarja ishte zhvilluar në vetëmbrojtje. Ky vlerësim i mbrojtjes vërtetohet edhe nga vetë nëna e 11-vjeçarit të lënduar, znj. Zorica Stojanoviq, që në deklarimin e paraqitur për mediat në gjuhën serbe, tha se ‘nuk ka qëlluar në drejtim të tyre, por në asfalt’’, ka thënë Ferati.