Vdiq në moshën 85-vjeçare, avokati i shquar shqiptaro-amerikan, Bardhyl Tirana

Ribotojmë me këtë rast historinë e tij dhe të familjes së tij, nga libri “Shqiptarët e Amerikës”, me autor Vehbi Bajramin, botues i gazetës “Illyria” dhe mik personal i veprimtarit të njohur

Nga Ruben Avxhiu

Ditën e shtunë, në 22 prill 2023, ndëroi jetë në moshën 85-vjeçare, Bardhyl Tirana, avokat i shquar shqiptaro-amerikan, figurë politike dhe humanitare, në SHBA. Në vitin 1976, ishte bashkëkryetar i Ceremonisë zyrtare të Betimit të Presidentit Jimmy Carter.

Bardhyl Tirana është djali i ekonomistit dhe diplomatit të njohur shqiptar, Rifat Tirana, i cili u vendos bashkë me familjen në SHBA për t’iu shmangur Luftës së Dytë Botërore.

Pasi u diplomua në drejtësi, Bardhyl Tirana ishte një nga juristët e rinj që u bënë pjesë e Departamentit të Drejtësisë në Administratën e Presidentit John F Kennedy.

Në vitin 1964, ai mori pjesë aktive në fushatën për Senator të Robert F Kennedy-t dhe më vonë ishte një figurë e rëndësishme në fushatat presidenciale të kandidatëve demokratë Senatorit George McGovern dhe Guvernatorit Jimmy Carter.

Për rolin e tij të rëndësishmëm, pas fitores së Presidentit Carter, në zgjedhjet e vitit 1976, u caktua bashkëkryetar i Ceremonisë Zyrtare të Betimit të Presidentit në shkallët e Kapitol Hillit.

Në Administratën Carter, shërbeu si Drejtor i Mbrojtjes Civile, në Departamentin e Mbrojtjes. Me propozimin dhe nën drejtimin e tij, u bë bashkimi i të gjitha agjensive federale që ndihmojnë në situata katastrofash dhe aksidentesh madhore, në një institucion të vetëm që njihet sot si FEMA.

Për shumë vite në Washington, ai kishte zyrën e tij private të avokaturës, i njohur si një nga avokatët më të njohur të kryeqytetit amerikan.

Zyra e tij u bë një bazë ndihme për kombin shqiptar, për Kosovën, për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ai kontribuoi në një numër organizatash të komunitetit, ndër të cilat edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) për të cilin ofroi rregullisht falas shërbimet e tij ligjore.

Historia e tij dhe e familjes së tij është përshkruar për herë të parë dhe me hollësi nga Vehbi Bajrami, botues i gazetës “Illyria”, në Neë York, në librin e tij “Shqiptarët e Amerikës”, të cilin po e ribotojmë me këtë rast të plotë.

“Me keqardhje mora lajmin nga Turhan Tirana, për vdekjen e Bardhyl Tiranës, një mik imi për 30 vjet”, tha me këtë rast botuesi Bajrami. “Tirana është një nga shqiptarët më të suksesshëm që kam njohur në Amerikë në fushën politike, akademike, të avokaturës e filantropisë”.

“Ai ndihmoi çështjen e Kosovës në Washington në vitet 90-të, në kohën kur ajo kishte nevojë për ndihmë nga njerëz të kalibrit të Bardhyl Tiranës për këshilla ligjore e lobim”, u shpreh Vehbi Bajrami.