Blerësit e një dyqani u shtangën nga pamja e një Land Rover-i që u përplas disa herë drejt një furgoni të bardhë. Turma u mblodh jashtë dyqanit në Farnborough, Hampshire, gjatë së martës teksa një mjet i zi me drita policie u përplas pas furgonit Peugot.
Sipas “Daily Mail“, filmimet tregojnë Land Rover-in që më pas tërhiqet nga furgoni i bardhë ndërsa dy persona përpiqen të hapin dyert. Teksa makina zmbrapset dhe më pas i drejtohet sërish furgonit, dallohen dyert e dëmtuara nga përplasja.
Tre meshkuj, që sipas një përdoruesi të Twitter thuhet se janë shqiptarë, ndodheshin brenda Land Rover-it i cili u kthye dhe e goditi prapë furgonin duke bërë që njëra prej gomave të shkëputej.
Policia gjeti një sasi të konsiderueshme kanabisi në pjesën e pasme të furgonit. Ata lanë të kuptohej se tre personat në makinën e zezë nuk ishin oficerë policie dhe tashmë ka nisur një hetim mbi ngjarjen.
Dy personat brenda Peugot-it u larguan me vrap nga parkingu. Një mjet tjetër është dëmtuar, disa shtylla dhe xhami i dyqanit është krisur për shkak të goditjeve.
Një 31-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për vjedhje. Ai u lirua teksa ndodhet ende nën hetim dhe kërkimet vazhdojnë.