Reshjet e dendura të shiut që nisën nga ora 15:00 e kësaj të premteje kanë zhytur në ujë qytetin e Vlorës.
Akset kryesore rrugore si rruga Transballkanike, bulevardi Vlorës, Lungomare, rrugët “Gjergji Araniti”, “Gjergj Kastrioti” dhe “Kosova” janë përmbytur, raporton A2.
Pamjet tregojnë qindra automjete të bllokuara në rrugët e qytetit, të fikura në mes të rrugës dhe të dala jashtë funksionit.
A2 CNN ka siguruar një video nga momentet kritike të përmbytjeve gjatë pasdites, në hyrje të autostradës Vlorë-Fier, ku shihen të paktën 3 automjete, të cilat janë “rrëmbyer” nga rrjedha e ujit.
Po ashtu bie në sy fakti se dhjetëra drejtues të tjerë mjetesh janë përpjekur t’i shpëtojnë një fundi të ngjashëm, duke ngjitur mjetet e tyre në rreth rrotullimin në hyrje të autostradës, shkruan A2.
Sakaq, mësohet se me qindra banesa dhe hyrje pallatesh janë të bllokuara nga uji në qytetin bregdetar.
Siç edhe kryebashkiaku Ermal Dredha tha për mediat rreth 30 familje janë evakuuar dhe do të qëndrojnë sot në konviktet e Universitetit të Vlorës, ndërsa tre persona janë shpëtuar pasi janë marrë para nga rrjedha e ujit.