Vjosa Osmani, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kandidate për kryeministre të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit, ka postuar në Facebook një tekst, për përmbajtjen e të cilit nuk saktëson nëse është mendim i saj apo i Kryesisë së partisë që i përket, por që lidhet me procesin e negocimit të marrëveshjes qeverisëse me partnerin fitues të zgjedhjeve.
Teksti i plotë në vijim:
Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa iu nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional. Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre.