Gjykata e Selanikut në Greqi, ka dënuar me burgim të përjetshëm 7 nga 12 të akuzuarit për vrasjen mizore të 19-vjeçarit Alkis Kampanos, dhe plagosjen e dy miqve të tij në shkurt 2022, ku mes tyre ishin dhe katër shtetas shqiptarë.
Sipas raportimeve nga mediat greke, mësohet se pesë personat e tjerë janë dënuar me nga 15 vite burg.
Kujtojmë se në seancën e kaluar gjykata i shpalli fajtorë të dymbëdhjetë të pandehurit, shtatë autorë dhe pesë bashkëpunëtorë në vrasje.
4 të dënuarit me origjinë shqiptare janë, Aleksandro Gega, Gerald Kambo, Roxhers Demirazi dhe Afskendos Çarçiu.
Për tre prej tyre Gjykata vendosi burgim të përjetshëm.
Në të njëjtën kohë, të pandehurve iu ndalua për 5 vite ndjekja e të gjitha ndeshjeve të PAOK-ut në të gjitha sportet.
Si ndodhi ngjarja?
19-vjeçari Alkis, humbi jetën në një ngjarje që tronditi Greqinë një vit më parë. Përplasja fatale ndodhi në orën 1:00 të natës së 1 shkurtit 2022 , në zonën Harilaos, në rrugën Theodorou Gazi, nëSelanik.
19-vjeçari ka qenë duke ecur me shokët e tij kur janë sulmuar ashpër nga një grup personash, që kanë zbritur nga dy makina. Fillimisht i pyetën se çfarë grupi ishin dhe më pas i sulmuan, duke sjellë vdekjen tragjike të Alkis. Dy persona të tjerë, miq të 19-vjeçarit, mbetën të plagosur, fatmirësisht jo për vdekje.