Vuçiç arsyetohet për videon: Në darkë jam ulur pranë Macron-it, askush s’pati takime sa unë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka komentuar videon ku shihej i vetmuar teksa liderët e tjerë po flisnin me njëri tjetrin në samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Madje, ai pretendon se nuk mund të gjindet njeri që ka pasur “kaq shumë takime”.

“Kam pasur takime bileaterale me njerëzit më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, kam shkuar edhe në dhoma të veçanta”.

“Unë nuk iu afrova asaj tavoline, sepse kur dikush diskuton paqen mes dy vendeve është e pasjellshme të marrësh pjesë në atë takim”, është arsyetuar Vucic.

Më pas, ai ka dhënë më shumë detaje për takimet që kishte.

“Kam pasur një dypalëshe me (Pedro) Sanchezin, me (Emanuel) Macron në të njëjtën kohë, me (Kyriakos)Mitsotakis, (Viktor) Orban, me kryeministrin irlandez, nuk e di nëse i kam renditur të gjithë”.

“Do të ishte e vështirë të gjesh dikë me të cilin nuk kam folur”, tha ai ndër të tjera.

Ndërkaq, shefi i shtetit serb pranoi se nuk folur vetëm me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, ndonëse sipas tij, ky i fundit kishte provuar t’i afrohej.

Me të mbërritur në Pragë, presidenti i Serbisë konstatoi se nuk e fajëson aspak Kroacinë për pengimin e importit të naftës ruse.

“Kroacia thjesht po bënë punën e saj, të cilën e ka bërë për dekada, që nga viti 1941”, duke aluduar kështu tek lëvizja fashiste e Kroacisë – “Ustasha”.

Kur u pyet pse fajëson Kroacinë kur është Serbia ajo që refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Vuçiç ka deklaruar se Zagrebi nuk do të udhëheqë politikën e Beogradit.

“Do të udhëhiqet nga qytetarët e Serbisë përmes përfaqësuesve të zgjedhur dhe kundër të gjithë atyre që mendojnë se mund t’ia imponojnë vullnetin Serbisë”, transmeton mediumi serb “N1”.

Nga ana tjetër, kryeministri kroat theksoi se kishte parë “reagime të pashembullta dhe të stuhishme” nga Serbia.

“Unë jam padyshim “Ustash” atje (në Serbi). Serbia nuk mund të ulet në dy karrige”, ka deklaruar Plenkoviç në Pragë.

Ai nënvizoi se Serbia mund të marrë çfarëdo nafte të dojë, por jo naftën ruse.