“Këta s’kanë nevojë më as të takohen: marrëveshjet mes [Vladimir] Putin dhe [Aleksandër] Vuçiç tani arrihen përmes bisedimeve telefonike”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas konkludimit për të zgjeruar kontratën për furnizim me gaz natyror mes Serbisë dhe Rusisë.
Madje, mes tjerash Kurti tërhoqi vëmendjen ndaj një deklarate për media që Aleksandër Vuçiç kishte lëshuar pas takimit të tij me presidentin rus në Soçi të Rusisë në nëntorin e vitit të kaluar.
“Por, ja çfarë thoshte Vuçiç në lidhje me Kosovën pas takimit të tij të 19-të me Putinin në Soçi më 25 nëntor 2021”.
Deklarata e Vuçiç vijonte si më poshtë:
“Fola rreth standardeve të dyfishta dhe hipokrizinë e shpeshtë në marrëdhëniet ndërkombëtare, Presidenti Putin është në dijeni dhe kupton mjaftë mirë për çfarë po flas, por më kërkoi sqarime shtesë, kështu që biseduam për Veriun e Kosovës, dhe ia tregova në hartë”, kishte thënë Aleksandër Vuçiç pas takimit me Putinin.
Të dielen Aleksandër Vuçiç zhvilloi bisedë telefonike ku tha se pranoi “çmim të favorshëm të gazit” nga Vladimir Putin.
Serbia është i vetmi vend në kontinentin evropian që ka refuzuar të bashkërendohet në sanksionet perëndimore ndaj Rusisë.
Në qershor, Aleksandër Vuçiç pret në Beograd kryediplomatin rus, Sergej Lavrov.