“Vuçiç mjeshtër i mashtrimit”- Stoikoviç: Pse u arrestuan policët, ‘autogoli’ serb

Avokati serb Çedomir Stoikoviç, dha një prononcim për Euronews Albania këtë të premte ku bëri një analizim të detajuar të rrëmbimit të policëve kosovarë, si dhe akuzat që mund të rëndojnë mbi ta.

Stoikoviç theksoi se arrestimi i policëve të kosovës është i paligjshëm dhe është inskentuar nga presidenti Vuçiç, për të krijuar një shoë përballë ndërkombëtarëve se serbët në veri janë të rrezikuar nga policët kosovarë.

Ai shtoi se policët mund të akuzohen për armëmbajtje pa leje, apo për kalim të paligjshëm të kufirit, por në të dyja rastet Serbia bën një autogol pasi njeh zyrtarisht kufijtë e Kosovës dhe shtetin e saj.

Intervista:

Esmeralda Mulaj: Fillimisht do të doja një koment tuajin mbi atë si e keni parë atë që ndodhi me 3 policët kosovarë dhe sa e justifikueshme është kjo mënyrë sjellje e Serbisë në raport me punonjësit e policisë së Kosovës?

Avokati Stoikoviç: Është e pabesueshme kjo nuk duhet të ndodhë. Serbia bëri një gabim shumë të madh pasi edhe nëse policët do të kishin hyrë në territorin serb, në këtë rast është diçka normale që policët nga pjesa e Serbisë t’i tërhiqnin ëmendjen dhe t’u thoshin “shikoni se po kaloni kufirin për në Serbi, ndaloni menjëherë dhe kthehuni në territorin tuaj”. Kjo do të ishte normale dhe këto gjëra ndodhin gjithmonë në të gjitha kufijtë në mbarë botën, përfshirë të gjitha kufijtë e Serbisë me Bullgarinë, me Rumaninë, me Bosnjën, me Kroacinë dhe me Hungarinë. Normaliteti do të ishte që patrullat e kufirit t’u thoshin policëve kosovarë të ktheheshin. Kjo do të ishte normale, çdo gjë tjetër është shfaqje e vullnetit për të pasur konflikt.

Esmeralda Mulaj: Ju mendoni se është një mesazh politik që Beogradi zyrtar i çoi me këtë sjellje dhe me këto foto ku ata trajtohen si të jenë terroiristë dhe jo punonjës policie të një shteti?

Stoikoviç: Unë mendoj se kjo është një tentativë e Aleksandër Vuçiç për të bërë një mashtrim. Vuçiç është mjeshtër i mashtrimeve. Ai do të krijojë një panoramë se si forcat e policisë së Kosovës po vendosin në rrezik popullsinë serbe. Kjo është shumë e gabuar sepse ajo që është normale që të ndodhë nëse policët e Kosovës kaluan kufirin, do ishte thjeshtë normale të jepej një paralajmërim dhe t’i shoqëronte në kufi. Arrestimi është një shoë i bërë nga Vuçiç për komunitetin ndërkombëtar. Duke arrestuar policët kosovar ai do t’i tregojë komunitetit ndërkombëtar që Kosova po rrezikon serbët.

Vuçiç tha se policët ishin me armatim ushtarak dhe gati për të bërë luftë, pasi ata kishin pushkë të gjatë. Pushkët dhe automatikët janë shumë normal për policët kufitar. Nëse shihni policët serbë edhe ata kishin të njëjtat armatime. Polisia serbe tha se policët kosovarë u arrestuan 1.8 km jashtë kufirit të Kosovës, por sipas marrëveshjes së Kumanovës në një zonë prej 5 km nga kufiri i Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ketë asnjë prani policësh, përveç policisë lokale serbe. Por ata që arrestuan policët kosovarë nuk ishin policë lokal, por ishin policë të anti-terrorit. Në këtë aspekt Serbia prishi marrëveshjen e Kumanovës.

Esmeralda Mulaj: Keni informacione se ku ndodhen policët dhe mbi gjendjen e tyre?

Stoikoviç: Këtë mëngjes bëra disa telefonata dhe zbulova se ata po mbahen në qytetin e Kralievës, një qytet 100 km në veri të Kosovës. Seanca gjyqësore për policët ishte duke vijuar në orën 8 në zyrën e prokurorit. Mbajtja e policëve duhet të zgjasë 48-orë. A do të lirohen ata apo do të mbahen me gjatë në paraburgim për 30 ditë? Sot në orën 12:30 i mbaron afati i paraburgimit.

Mulaj: Çfarë parashikon ligji i Serbisë, çfarë mund të rrezikojnë këta punonjës policie?

Stoikoviç: Një pyetje e shkëlqyer, unë e ngrita këtë pyetje dje dhe për çfarë krimi janë arrestuar, pasi janë dy krime që mund të kryehen, kalimi i kufirit ndërkombëtar në mënyrë të paligjshme dhe në këtë mënyrë Serbia do pranonte pavarësinë e Kosovës dhe do të njihte kufirin e saj. Prandaj nuk mendoj se do të vendosnin këtë aktakuzë. Krimi tjetër do të ishte armëmbajtja e armëve pa leje. Po nëse ti akuzon në Serbi se policia e Kosovës mban armë pa leje kjo do të thotë që t’i thyen marrëveshjen e Brukselit të 2013-ës. Sipas kësaj marrëveshjeje Serbia pranon se policia e Kosovës ekziston dhe në të gjitha rastet do të kishte një njohje formale të Kosovës dhe thyerje e marrëveshjes së Brukselit.

Gjithashtu Stoikoviç atakoi presidentin serb si një politikan që e ka nisur karrierën në vitet ’90 dhe që nuk mund të mendojë asgjë tjetër përveç luftës në mendjen e tij.