Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Prishtinës për anulimin e aktgjykimit të deputetit të Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, të cilit i është konfirmuar dënimi me dy vjet burg nga Gjykata e Apelit për mohimin që i njëjti ia ka bërë Masakrës së Reçakut.
Vuçiq ka thënë se marrëveshja e Brukselit nuk do të ekzistojë më në rast se nuk anulohet ky vendim.
Presidenti serb, kur është pyetur se në rast se vendimi kundër Todosijeviqit nuk anulohet, ai ka thënë se të gjitha vendimet janë të mundshme.
“Nëse vendimi i Todosijeviqit nuk anulohet, është e qartë për ju se marrëveshja e Brukselit, me vendim të shqiptarëve, nuk ekziston më, kështu që atëherë të gjitha vendimet janë të mundshme”, është shprehur Vuçiq, shkruan Kossev.
Gjykata e Apelit tre ditë më parë, konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore të dhënë për deputetin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, me dy vjet burg, për një deklaratë me rastin e 20 vjetorit të bombardimit të NATO -s në një ceremoni në komunën e Zveçanit, kur ndër të tjera tha se “Reçaku ishte i sajuar”.
Vendimi i Gjykatës së Apelit u dënua nga udhëheqja shtetërore serbe, Lista Serbe dhe disa organizata të shoqërisë civile serbe në Kosovë.
Për vendimin e Gjykatës së Apelit ka reaguar edhe zëdhënsi i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme duke thënë se Kosova, sikurse Serbia duhet t’i përmbahen marrëveshjeve të nënshkruara.