Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, përgjatë vizitës në Greqi ka dhënë edhe një intervistë për gazetën e njohur greke “Kathimerini”, ku ka folur për çështjen e gjetjes së një zgjidhje finale me Kosovën dhe gjithashtu edhe për idenë e shumë diskutuar të korrigjimit të kufijve e shkëmbimit të territoreve.
Vuçiq ka thënë se janë të gatshëm të negociojnë për gjetjen e një zgjidhje kompromisi, por sipas tij njohja e Kosovës nuk mund të ndodh nëse dikush do të shkojë në Beograd për ta kërkuar një gjë të tillë.
I pyetur rreth idesë së korrigjimit të kufijve si zgjidhje e mundshme për ngërçin me Kosovën, Vuçiq është përgjigjur gjithashtu me një pyetje.
“Cilët kufijtë do të diskutohen, atë të njohur nga Kina, Rusia, Greqia e Spanja, apo ata të njohur nga Franca e Gjermania..”, ka thënë Vuçiq, raporton Gazeta Express.
Për idenë e shkëmbimit të territoreve, Vuçiq ka thënë se Serbia gjithmonë ka qenë në kërkim të një kompromisi dhe që nuk dëshiron të imponojë një zgjidhje që do të ishte në interes vetëm të njërës palë.
“Ne jemi gati dhe të hapur që të negociojmë për një zgjidhje kompromisi. Disa kanë folur për modele të ndryshme por s’kanë ofruar neve asgjë specifike. Nëse dikush mendon që dikush do të vijë në Beograd dhe do të na kërkojë neve ta njohim Kosovën si një shtet të pavarur, një gjë e tillë nuk do të ndodh”, ka shtuar tutje kreu i shtetit serb.
Ndër të tjera Vuçiq ka thënë se e vetmja kërkesë për rikthim në dialog është heqja e taksës 100 %.
“Nuk do të dëgjoni nga unë ndonjë kërkesë tjetër, përveç asaj që dëshirojmë heqjen e taksës 100 %. Ne duam të ulemi në tavolinë të diskutojmë dhe të provojmë të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Vuçiq për Kathimerini.