LAJME

Vuçiq: Vrasja masive afër Beogradit, akt terrorist

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur akt terrorist sulmin e së enjtes afër Beogradit, ku u vranë tetë persona.

“Është një akt, në të cilin njësitë tona speciale antiterroriste kishin për detyrë të arrestonin ose neutralizonin një terrorist. Ai është arrestuar dhe nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit. Ai nuk do të dalë nga burgu”, tha Vuçiq, në një konferencë për media, të premten.

Nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, mbetën të plagosur edhe 14 persona të tjerë, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas njoftimit, sulmuesi i dyshuar U.B., i lindur në vitin 2002, u arrestua afër qytetit të Kragujevcit, pas disa orësh në arrati.

Të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Orashje e Vogël dhe Shepshin, të enjten vonë.

“Policia po vazhdon punën për mbledhjen e fakteve dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe.

Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit.

Presidenti serb Vuçiq, pas këtij sulmi, përmendi disa masa sigurie që do t’i ndërmarrë Qeveria, përfshirë punësimin e 1.200 policëve të rinj dhe transferimin e 1.000 të tjerëve për të qëndruar afër shkollave.

“(Kjo do të bëhet), në mënyrë që prindërit të ndihen të sigurt. Do të ketë edhe polici e oficerë pothuajse gjithmonë në shkollë, derisa të arrijmë në atë nivel që polici të jetë gjithmonë në shkollë. Me këtë, jo vetëm që do të rrisim sigurinë për 90 për qind, por do të ulim edhe dhunën e bashkëmoshatarëve në shkollë me 80 për qind, besoj”, tha Vuçiq.

Tutje, Vuçiç sugjeroi një moratorium për lejet e armëve pavarësisht nga lloji i armëve, dhe kontrolle më të shpeshta mjekësore dhe psikologjike të pronarëve të armëve.

Sipas disa mediave lokale, sulmuesi qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.

Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal, raportojnë korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në terren.

Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha REL-it se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”, shkruan portali serb i lajmeve, Telegraf.

Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore vazhdojnë të jenë në terren.

Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiq, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë.

Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë.

Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BOTA

Irani pezullon operacionet ushtarake kundër Izraelit

Irani ka njoftuar se ka pezulluar operacionet ushtarake kundër Izraelit, por ka paralajmëruar se do…

5 orë ago
  • POLITIKE

Pjesëmarrja në zgjedhjet e djeshme, më e ulëta në pesë ciklet e fundit zgjedhore

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura dje në Kosovë kanë regjistruar pjesëmarrjen më të ulët…

10 orë ago
  • KRYESORE

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe AAK 7.10%

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…

20 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Afro 20 për qind të votave të numëruara, prin VV’ja

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…

23 orë ago
  • KRYESORE

Zgjedhjet në Kosovë – Exit Polli i Albanian Post në T7: VV’ja 43%, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7

Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë,  është publikuar Exit…

1 ditë ago
  • KRYESORE

Narrativa të fabrikuara: Si u deformuan protestat për Zvërnecin

Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…

1 ditë ago