Vetëvendosje ka vendosur të mos ndryshojë emrat e ministrave, bazuar në propozimin që kishte dhënë kryetari i kësaj partie më 6 janar, gjatë negociatave me LDK-në për bashkëqeverisje.
Burime të KTV-së kanë thënë se gjashtë figurat e propozuara nga Albin Kurti për pesë ministri dhe një zëvendëskryeministër do të mbesin të njëjta, veçse njëri nga ta do të ndërrojë ministri. Bëhet fjalë për Blerim Rekën që nga Ministria e Punëve të Jashtme do të dalë në atë të Integrimeve Evropiane, për t’i liruar vend Glauk Konjufcës, që do të largohet nga posti i kryeparlamentarit.
Zëvendëskryeministër nga VV-ja do të jetë Haki Abazi, ndërsa Albulena Haxhiu do të jetë ministre e Drejtësisë. Besnik Bislimi do të jetë ministër i Financave, Rozeta Hajdari e Ekonomisë dhe Arben Vitia ministër i Shëndetësisë.
Sot VV e LDK zyrtarizuan marrëveshjen për bashkëqeverisje duke treguar se janë pajtuar që LDK-ja të ketë kryekuvendarin e VV-ja t’i prijë qeverisë. Lideri i VV-së, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, treguan se numri i ministrive do të jetë 15, ndërsa do të jenë 33 zëvendësministra.