Yuval Noah Harari mbështet kritikën e indiferencës majtiste ndaj mizorive të Hamasit

Historiani izraelit Yuval Noah Harari ka mbështetur akademikët dhe aktivistët për paqen në atdheun e tij në një sulm ndaj “indiferencës” së disa progresistëve amerikanë dhe europianë ndaj mizorive të Hamasit, duke i akuzuar për “mungesë ekstreme të ndjeshmërisë morale” dhe tradhti ndaj politikave të krahut të majtë.

Harari – autori i librave bestseller që përfshijnë Sapiens dhe Homo Deus – iu bashkua 90 firmëtarëve të një deklarate që shpreh tronditje ndaj “elementeve të së majtës globale… deri më tani, parnerët tanë politikë”, që me raste, “kanë justifikuar veprimet e Hamasit”.

47-vjeçari, i cili së fundmi është bërë aktivist politik i profilit të lartë në Izrael, duke kundërshtuar koalicionin populist të krahut të djathtë të Benjamin Netanyahut dhe planet për të dobësuar sistemin gjyqësor, i tha The Guardian se ai ndërhyri pasi bisedoi me aktivistët për paqen në atdheun e tij, të cilët ishin “tërësisht të dërrmuar” dhe “ndiheshin të braktisur dhe të tradhtuar nga aleatët e supozuar” në përpjekjet për paqe, pasi akademikët, artistët dhe intelektualët nënshkruan deklarata që nuk dënonin Hamasin.

Halla dhe xhaxhai i Hararit jetonin në një nga kibucet e shënjestruara nga Hamasi në sulmet që vranë më shumë se 1,400 persona dhe ku më shumë se 220 persona u morën peng. Ata mbijetuan pasi u fshehën, ndërsa agresorët shkonin shtëpi më shtëpi duke vrarë fqinjët.

Duke folur për reagimin nga disa pjesë të së majtës në SHBA dhe Europë gjatë një vizite në Londër, Harari tha se ishte “shokuese të dëgjoje disa nga përgjigjet që jo vetëm nuk dënonin Hamasin, por e vendosnin gjithë përgjegjësinë tek Izraeli” dhe të shihte “mungesën e solidaritetit sa i takon sulmeve të tmerrshme ndaj civilëve izraelitë”.

Letra, firmëtarët e tjerë të së cilës përfshijnë shkrimtarin e njohur izraelit David Grossman, thotë: “Ne kurrë nuk e kishim imagjinuar që individë të së majtës, mbështetës të barazisë, lirisë, drejtësisë dhe mirëqenies, do të tregonin një mungesë ekstreme të ndjeshmërisë morale dhe pamaturi politike.”

Letra përfundonte: “Nuk ka kontradiktë mes kundërshtimit me vendosmëri të nënshtrimit dhe pushtimit izraelit të palestinezëve dhe dënimit të fuqishëm të akteve brutale të dhunës kundër civilëve të pafajshëm. Në fakt, çdo i majtë i qëndrueshëm duhet t’i ketë njëkohësisht këto dy qëndrime.”

Harari citoi një deklaratë nga 30 grupe studentore të Harvard publikuar ditën pas sulmeve që “fajësonin tërësisht regjimin izraelit për dhunën e shpalosur”. Ai tha se kjo nënkupton që “njerëzit që vranë foshnja nuk kanë as 1% përgjegjësi, dhe 100% e përgjegjësisë rëndon mbi Izraelin”.

Ai theksoi një tjetër deklaratë të Socialistëve Demokratikë të Amerikës në ditën e sulmeve, që thoshte: “Ngjarjet e sotme janë rezultat direkt i regjimit izraelit të aparteidit.”

Duke dhënë shembuj historikë të disa socialistëve amerikanë dhe europianë që mbështesin Stalinin, ai tha: “Kjo nuk është hera e parë që e majta radikale, në përpjekje për të paraqitur një vizion të caktuar të drejtësisë, e gjen veten të linjëzuar me disa nga lëvizjet dhe regjimet më brutale.”

Ajo qasje mund të bazohet në një “besim apo fantazi se drejtësia absolute është e mundur [aty ku] njëra palë është tërësisht fajtore për çdo gjë, përfshi edhe krimet e palës tjetër”.

“[Por] realiteti është i ndërlikuar,” tha ai. “Të njëjtët njerëz mund të jenë njëkohësisht viktima dhe agresorë. Në shumicën e konflikteve, faji për krimet dhe mizoritë nuk ndahet 100%/0%, por diku në mes. Kjo është shumë banale, por njerëzit e kanë ende të vështirë ta pranojnë.”

Thelbi i përgjigjes së grupeve ndërkombëtare të majta ishte i rëndësishëm për të majtën në Izrael, tha ai, sepse dukej sikur ishte rrezja e fundit e shpresës për një zgjidhje paqësore me dy shtete dhe kështu i nevojitej mbështetje ndërkombëtare.

Ai theksoi një letër të nënshkruar nga aktorët Tilda Swinton dhe Steve Coogan dhe nga regjisori Mike Leigh që kërkonte “përfundimin e mizorisë së paprecedentë që po i shkaktohej Gazës” pa dënuar specifikisht sulmin e Hamasit, edhe pse dënonte “çdo akt dhune ndaj civilëve dhe çdo shkelje të ligjit ndërkombëtar nga cilido agresor.”

“Nuk ka një fjalë të vetme për masakrën [e 7 tetorit],” tha Harari.

Aktorja Maureen Lipman e ka kritikuar grupin e “Artistëve për Palestinën”, që hartoi letrën, duke i quajtur “liberalë të pashpirt”. Ajo nënshkroi një letër me më shumë se 200 persona të tjerë, përfshi prezantuesen Rachel Riley, e cila i bëri thirrje BBC-së dhe “kujtdo në sferën publike që ta quajnë Hamasin ashtu siç është: një organizatë terroriste”.

Javën e kaluar, New York Times kishte titull kryesor një artikull ku pretendohej se Izraeli qëndronte pas bombardimit të spitalit al-Ahli në qytetin e Gazës. Të hënën, gazeta pranoi se ishte “bazuar më shumë në pretendimet e Hamasit” dhe redaktorët “duhet të ishin treguar më të kujdesshëm… dhe të ishin më të qartë për informacionet që mund të verifikoheshin”.

Harari tha se për popullin në Izrael dhe Gaza, të cilët “kanë vuajtur pafund… mendja ju është mbushur vetëm me dhimbjen e tyre, saqë çdo përpjekje për të sjellë në vëmendje dhimbjen e dikujt tjetër, ngjason si tradhti”.

Kështu, ai tha, “në një moment si ky, ne ja besojmë mundësinë për paqe të huajve”.

“Ne nuk mund ta bëjmë tani, por urojmë që të huajt ta ruajnë paqen për ne dhe të ndihmojnë në shtensionimin e situatës aktuale,” tha ai. “Puna e intelektualëve, artistëve dhe akademikëve është të përpiqen të shkojnë më thellë. [Është] të përpiqen të shohin sa i ndërlikuar është realiteti, veçanërisht në klimën e sotme pas të vërtetës. Është dembelizëm intelektual dhe emocional thjesht të zgjedhësh një krah.”

Harari tha se ai beson që “ideja se Izraeli duhet ta shkatërrojë Gazën është e papranueshme”.

“Ne nuk shohim të ketë një fushatë për shuarjen e Gazës,” tha ai. “Situata e popullsisë palestineze është e tmerrshme, por të paktën është e qartë se Izraeli nuk ka qëllim të vrasë sa më shumë civilë të mundet. Kjo nuk është ajo që bëri regjimi i Assad në Homs dhe Alepo. E vetmja zgjidhje do të vijë jo vetëm kur Hamasi të çarmatoset, por kur populli palestinez të ketë një të ardhme alternative.”/The Guardian