Shkruan Bajram Kabashi
Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, SHB “Rozafa” e Prishtinës para disa ditësh e ka botuar veprën e Muharrem Blakajt, “ZANA E SHËN MARTINIT”. Romani u shtyp në DRITA PRESS, Prishtinë, dhe ka gjithsej 234 faqe.
Romanin “Zana e Shën Martinit” pasi autori ma kishte dhënë pa u botue, e lexova verës, sa isha për pushime në Shëngjin dhe më duhet ta them se për mendimin tim ky është një ndër romanet më të mira të shkruara nga një autor shqiptar deri tash. Megjithëse i kam lexuar edhe veprat e tjera të Blakajt, “Zana e Shën Martinit” dallon dukshëm me gjuhën e bukur dhe stilin e vecant të shkrimit të këtij zhanri lerar. Një gjuhë vërtetë e bukur shqipe, sintaksë e rrallë e krejtësisht ndryshe e fjalisë; me fjalë e mendime të rralla, të lashta, shprehje që mund të na kujtohen por që janë lënë në harresën e shtresave kohore, që rikthehen me shndritjen mahnitëse në veprën e romansierit Blakaj, që jeton në Zvicër.
Shtjellimi i tematikës historike në roman nuk bëhet në formën qysh e kemi hasur në veprat e tjera, por ai bëhet një me rimëshërimin qysh e quan autori në veprën e tij, reinkarnimin .
“Vendi i ndodhisë” në roman i bashkon kohët e lashta me kohën që e jetojmë dhe këtë e kuptojmë edhe përmes identifikimeve qëllimisht të përcipta, me trima që tregojnë e zhduken, që na e bëjnë të ditur se ata shpirtëra “fluturojnë” e vijnë në rrethinat e vendlindjes së atutorit.
Takimi i personazheve të kohëve më të reja , që janë futur e rimishëruar në trupa të tjerë, me personazhet e Ilirisë e përtej saj, fakti që ato duke gjurmuar e hulumtuar i gjejnë gjurmët e tyre të dikurshme në gurë e rrënoja të mbuluara nga dheu, vuajtjet, pësimet, goditjet nëpër beteja etj, e zgjon kurreshtjen e leximit të thelluar e që nuk mund ta ndërpresh se nuk të lënë as të lodhesh, por të mbërthejnë e tërheqin me atë që pason.
Jo vetëm me këtë roman, por edhe me librat e mëparshëm, Muhaerem Blakaj na zbret në teatrin tragjik të historisë, ku mund ta shohim e përjetojmë vuajtjen e pësimin tonë, që kurrë nuk mbaron me rrëfimtarinë e vet.
“Zana e Shën Martinit” është një kredhje e thellë artistike në shkrimin e një romani historik e psikologjik njëherit, një libër që e shpërfaqë para lexuesit një rrëfimtar me fuqi të madhe krijuese që i ka munguar letërsisë shqipe, krijues që shkruan e rrëfen nga “vetmija e tij”, pra krijues që i ka përjetuar gjërat më të hidhura në jetë, arrestimin dhe burgosjen në rininë e tij, vrasjen mizore të vëllait në burg, vuajtjet e mëdha të familjes e të njohshmve, e shumë e shumë ndodhi të tjera, që pa dyshim kanë pasur ndikim në rrugën e tij këmbëngulëse e të bujshme si shkrimtar.