Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk ka pranuar që sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres të vizitojë vendin që po përballet me agresionin rus, pasi shefi i orgnaizatës ndërkombëtare mori pjesë në samitin e BRICS që u mbajt në qytetin rus të Kazanit.
Ndërsa në fjalimin e mbajtur në atë samit, Guterres kërkoi për arritjen e një paqeje të drejtë në Ukrainë, duke bërë thirrje para presidentit rus Vladimir Putin që t’i jepej fund luftimeve që kanë më shumë se dy vite që vijojnë, pjesëmarrja e tij në takimin e 20 udhëheqësve të botës, përfshi presidentin kinez dhe atë indian, shkaktoi zemërimin e Kievit. “Pas Rusisë, Guterres dëshironte të vinte në Ukrainë, por presidenti nuk i konfirmoi vizitën. Kështu që Guterres nuk do të jetë këtu”, u shpreh për agjencinë e lajmeve AFP një burim nga presidenca ukrainase.
Gjatë bisedës që pati me Putin në Kazan, Guterres ritheksoi se pushtimi rus i Ukrainës ishte në kundërshtim me kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar, siç u bë e ditur nga një deklaratë e publikuar në faqen e OKB-së.
Para këtij takimi, vendimi i Guterres për të marrë pjesë në samitin e BRICS u kritikua nga ministria e jashtme ukrainase, e cila vuri në dukje faktin se shefi i OKB-së nuk kishte marrë pjesë në një samit të mbledhur nga Ukraina që u mbajt në muajin qershor në Zvicër. “Është një zgjedhje e gabuar që nuk shënon kontribut drejt kauzës së paqes dhe që vetëm sa dëmton reputacionin e OKB-së”, shkruhej në deklaratën e publikuar nga ministria ukrainase e punëve të jashtme.