Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, tha se vendi i tij dhe i gjithë Bashkimi Europian kanë një detyrim ndaj bashkëpunëtorëve të tyre në Afganistan, të cilët duhet të mirëpriten për të mos vuajtur nga hakmarrja e regjimit të talebanëve në vend. Por ai shtoi se të gjithë duhet të bëjnë kujdes të veçantë për të parandaluar që mes refugjatëve të futen edhe terroristë.
“Europa do të jetë në lartësinë e detyrës për të përballur krizën afgane”, tha Draghi në një intervistë për Tg1. “Jemi të vetëdijshëm që ky operacion është absolutisht i nevojshëm. Prioritet mbetet evakuimi i personave që kanë punuar për vendet anëtare të BE. Duhet të tregohemi të bashkuar, edhe në aspektin e sigurisë, për të parandaluar infiltrimet e terroristëve”.
Për këto çështje Draghi tha se kishte folur me kancelaren gjermane, Angela Merkel, por shtoi se do të kërkonte edhe bashkëpunimin e vendeve si Kina, Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia.