Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Beros, dha detaje të tjera në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e së dielës në Brod ku nga aksidenti i autobusit të kompanisë “Deva Tours” mbetën të vdekur të paktën dhjetë persona.
Pasi shkoi në vendngjarje dhe vizitoi spitalin ku janë shtruar të plagosurit, ai tha se mes tyre kishte edhe të mitur. “69 persona – 67 udhëtarë dhe 2 shoferë – u përfshinë në aksident. Kishte edhe të mitur, një vajzë e vogël është plagosur rëndë”, tha Beros.
Ndërsa drejtori i Mbrojtjes Civile të Kroacisë, Damir Trut, konfirmoi se 9 pasagjerë dhe 1 shofer kanë vdekur. Duke shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, ai tha se 45 pasagjerë janë në Spitalin e Përgjithshëm në Slavonski Brod, ku u ofruan kujdes mjekësor. Prej tyre, 8 janë në gjendje më të rëndë dhe 4 prej tyre i janë nënshtruar ndërhyrjeve. “Mund t’iu themi se hetimi ka nisur tashmë dhe shumë shpejt do të kemi informacione të reja”, tha Trut.