Policia e Shtetit ka kryer një operacion masiv një natë më parë në disa qytete të vendit, kur si rezultat mbi 20 persona janë shoqëruar, ndërsa është arrestuar edhe autori i një ngjarjeje të rëndë të ndodhur katër vite më parë, ku 4 persona mbetën të plagosur me armë zjarri.
Operacionet janë zhvilluar në Durrës, Lezhë, Mamurras e Elbasan, nga Forcat Speciale RENEA dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e policisë vendore.
Në Mamurras, gjatë kontrolleve të befasishme është kapur dhe ndaluar nga RENEA, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasi A. S., 36 vjeç, autor i plagosjes së 4-fishtë në vitin 2017, i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit personal ‘’Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’’, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2017, në Laprakë, në bashkëpunim dhe me vëllain e tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri 4 shtetas.
Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje apo përdorim të lëndëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar armë, municion luftarak, drogë, është vënë në pranga një person në kërkim me rrezikshmëri shoqërore, si dhe është goditur një rast i ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit të lojërave të fatit etj.
Në Durrës, gjatë kontrollit në lagjen nr.14, Shkozet, është arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës, si dhe u procedua penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasi E. D., 43 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i shtetasit D. T. është bërë pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij “Range Rover”, para lokalit të shtetasit E. D., në kroskot është gjetur një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me 13 fishekë. Në vijim të kontrolleve, në lokalin në përdorim të shtetasit E. D., janë gjetur çipsa dhe letra bixhozi.
Gjithashtu, po gjatë kontrolleve në Durrës, është arrestuar në flagrancë shtetasi L. H., 24 vjeç, banues në Durrës, shpërndarës i lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi dozash lëndë narkotike dhe një peshore elektronike, ndërsa në banesë iu gjet një sasi fishekësh.
Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë, 21 persona me precedent të mëparshëm penal, të cilët ishin pa dokument identifikimi me vete.