Aksioni kundër fajdes/ Si i dëmtuan viktimat e tyre Azem Veseli dhe të tjerët

Gjykata Themelore në Pejë–Dega në Deçan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve H.T. dhe A.V. ndërsa, të pandehurit A.Ç. i caktohet masa e ndalimit për t’iu afruar të dëmtuarit, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas Gjykatës Azem Veseli ka kryer veprën penale “fajdeja”, H.T. ka kryer veprat penale “fajdeja” dhe “kanosje”.

Kurse A.Ç. ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale fajdeja“.

Si i dëmtuan dhe kanosën viktimat të arrestuarit?

Sipas njoftimit të Gjykatës Azem Veseli, në muajin tetor 2020, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit, në atë mënyrë që të dëmtuarit për shkak të pandemisë dhe disa borxheve i rëndohet gjendja financiare ashtu që i pandehuri i jep pare me fajde, të cilën i dëmtuari e paguan çdo muaj.

Kurse i pandehuri H.T., në janar të vitit 2020 e në vazhdimësi gjer në muajin maj 2020, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit si pasojë e pandemisë dhe disa borxheve që i kishte, në atë mënyrë që i pandehuri i jep të dëmtuarit një shumë të hollave në emër të fajdesë të cilën i dëmtuari ia kthen në muajin prill 2020 mirëpo, të dëmtuarit i rëndohet edhe më shumë gjendja financiare dhe i pandehuri në muajin maj 2020 i jep përsëri para me fajde duke realizuar kështu dobi pasurore.  Pastaj, i pandehuri, në fillim të muajit Maj 2021, me fjalë, seriozisht e kanos të dëmtuarin se duhet të vazhdojë të paguaj fajdenë ose do ta privoj nga jeta, për çka te i dëmtuari shkakton frikë dhe panik.

Gjykata ka njoftuar se edhe i pandehuri A.Ç. në janar të vitit 2020 e në vazhdimësi gjer me datë 15.09.2021, me dashje ndihmon personin tjetër në kryerjen e veprës penale të fajdesë në atë mënyrë që, të dëmtuarit në vitin 2019 për shkak të pandemisë dhe disa borxheve i rëndohet gjendja financiare ashtu që i pandehuri A.Ç ndërmjetëson te i pandehuri H.T, që t’i jep të dëmtuarit një shumë të hollave në emër të fajdesë.