Presidenti serb Aleksandar Vuçiç në takimin me amerikanët që sot vizituan Serbinë, tha se përmirësimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë.
Me të sot, janë takuar Senatorët e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe anëtarin e Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, Thom Tillis.
“Tregtia do të arrijë në 1.2 miliardë dollarë këtë vit, gjë që tregon përparim të rëndësishëm në marrëdhëniet tona ekonomike”, tha Vuçiç, duke shtuar se Serbia shpreson të “intensifikojë më tej lloje të ndryshme të bashkëpunimit dhe të zbatojë projekte specifike me interes të përbashkët”.
Sipas deklaratës së Presidencës serbe, Vuçiç ka falënderuar senatorët për “mbështetjen e vazhdueshme që Washingtoni i ofron Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.
Situata e rajonit dhe lufta në Ukrainë ishin gjithashtu temë e takimit të tyre. Vuçiç në këtë drejtim u shfaq i përkushtuar për ruajtjen e paqes para amerikanëve, derisa tha se respekton të drejtën ndërkombëtare, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve, duke e përmendur edhe votën e Serbisë pro në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, por duke mos folur për “presionin” për të cilin u ankua se po i bëhet para se të votojë.
Siç njofton Presidenca serbe, Vuçiç ka thënë se Serbia respekton integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, si dhe Republikën Srpska brenda saj.
Ai theksoi se për Serbinë është me interes kyç ruajtja e stabilitetit në rajon dhe forcimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e ekonomisë, “sepse vetëm një rajon i tillë mundëson zhvillimin e qëndrueshëm të vetë Serbisë”.
Vuçiç përmendi “si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm rajonal” Iniciativën “Ballkani i Hapur”, qëllimi i së cilës, siç thuhet në deklaratë, është zhvillimi i mëtejshëm i rajonit dhe ngritja e standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e tij.
Në njoftim thuhet se senatorët amerikanë e uruan Vuçiçin për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit. Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve çon në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik.