“Arben Lleshi dil”, Mjacaj e qëlloi në qeli pasi e thirri në emër. Detaje nga vrasja në burgun e Peqinit

Një ngjarje shumë e rëndë ndodhi në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Arben Leshi u ekzekutua me armë zjarri nga Sokol Mjacaj. Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur edhe Indrit Shaqja. Të tre personat e përfshirë janë të dënuar me burgim të përjetshëm.

Gazetarja Glidona Daci ishte pranë burgut të Peqinit ku raportoi të tjera detaje nga ky rast. Sipas saj vrasja ka qenë e planifikuar. Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja Daci, Arben Lleshi është ekzekutuar me tre plumba në momentin që ka qenë në qelinë e tij.


Sokol Mjacaj ka shkuar në Godinën B, në seksionin 2 të posaçëm. Fillimisht ai e ka thirrur. “Arben Lleshi dil”, ka thënë ai. Pasi Lleshi ka dalë nga dera e qelisë, ai e ka qëlluar me tre plumba. Nga ana tjetër, Indrit Shaqja ka qenë në afërsi të ngjarjes dhe është plagosur aksidentalisht në këmbë. Ai është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Tashmë konfirmohet ajo që raportuam edhe më herët që kemi të bëjmë me një ngjarje të planifikuar dhe mirëorganizuar deri në detaje”, raportoi gazetarja Glidona Daci.

Sipas gazetares Daci, Mjacaj ka përdorur një pistoletë me mulli.

Sokol Mjacaj

Tashmë pritet që autoritetet që të zbulojnë dinamikën dhe shkaqet e plota pas kësaj ngjarjeje të rëndë ku Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe brenda një institucioni të vuajtjes së dënimit të sigurisë së lartë kreu ekzekutimin e Lleshit.

“Që një nga personat e paraburgosur, i dënuar me burgim të përjetshëm të arrijë të futet në ambientet e brendshme të burgut me një pistoletë dhe të kryejë më pas edhe ekzekutimin do të thotë që ndoshta mund të ketë pasur një lloj favorizimi, ose neglizhence nga ana e strukturave të Policisë së Burgjeve, që nuk kanë ushtruar siç duhet detyrat e tyre dhe nuk kanë parë, si ka arritur Mjacaj të fshehë armën e krimit dhe të kryejë ekzekutimin”, raportoi Daci.