Mëngjesin e sotëm, emri i disenjatorit të mirënjohur kosovar, Valdrin Sahiti, u bë kryefjalë në mediat shqiptare, të cilat pretendonin se ai është arrestuar në shtetin e Turqisë për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Mirëpo kjo është demantuar nga avokati i Sahitit, Besnik Berisha, i cili tha për Sinjalin se klienti i tij ka vijuar rrugën normalisht dhe ka pasur vetëm një keqkuptim me çantën të cilën e kishte harruar në aeroplan.
“Nuk është e vërtetë që ai është arrestuar e aq më pak që është paraburgosur. Përkundrazi ai ka vijuar rrugën normalisht dhe keqkuptimi lidhur me çantën e tij që e kishte harruar në aeroplan është sqaruar me autoritetet turke dhe nuk ka asnjë çështje të ngritur kundër tij në shtetin e Turqisë dhe aq më pak për posedim të paautorizuar të substancave narkotike siç është raportuar”, tha Berisha.
Tutje ai njoftoi se Sahiti ndodhet në Dubai ku po vazhdon agjendën e tij biznesore.
“Ai aktualisht është në Dubai ku po vazhdon agjendën e tij biznesore. Falënderojmë të gjithë për shqetësimin e shprehur, por e vërteta është më ndryshe nga ajo cfarë është raportuar”, përfundoi Berisha.
Ndryshe edhe vetë disenjatori Sahiti sot ka publikuar pamje nga ballkoni i hotelit ku po qëndron në Dubai.