Bisedat në “Sky”/ Arrestohet Erzen Breçani dhe Dedan Gjoni, në kërkim Ervin Mata

Dalin detaje të reja nga operacioni SPAK që ka çuar në pranga 11 persona mes të cilëve edhe ish-kreun e policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djalin e tij, Eralbi Breçanin. Lapsi.al mëson se babë e bir akuzohen për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash. Sipas të njëjtave burime nga grupi hetimor mësohet se urdhër-arresti është lëshuar edhe për Shefin e Krimeve në Komisariatin numër 6 të kryeqytetit, Dedan Gjoni.

Ndaj tij janë ngritur disa akuza për vepra të rënda penale, një prej të cilave është ajo e sigurimit te kushteve për të kryer vrasje. Po ashtu, mes të shoqëruarve janë edhe 7 punonjës të tjerë të policisë. Një masë arresti është lëshuar edhe për Ervin Matën, një emër i njohur për drejtësinë. Mata u përfshi në një përplasje me armë në zonën e ish-Bllokut në 2018-ën me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha një nga shoqëruesit e këtij të fundit. Ai u qëllua nga ish-komandoja Merviol Bilo. Mata është prej vitesh në kërkim nga policia.

Të njëjtat burime thonë se operacioni është faza e dytë e dosjes që njihet si “Metamorfoza” pas zbërthimit të mesazheve nga aplikacioni i koduar “SKY ECC”. Për 11 të dyshuarit për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste rëndojnë akuza të rënda si: pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit. Operacioni “Metamorfoza” ka zbardhur një sërë ngjarjesh kriminale ku u vunë në pranga disa efektivë policisë, biznesmenë, si dhe drejtues të policisë së shtetit.