Bekim Jashari kujton Adem Demaçin: Do të mbetesh i paharruar në zemrat tona

Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari ka kujtuar jetën dhe veprën e simbolit të rezistencës kombëtare Adem Demaçi, në dyvjetorin e ndarjes nga jeta.

Ai në një postim në Facebook shkruan se kontributi i Adem Demaçit në rrugëtimin tonë historik, vuajtjet e tij si pasojë e qëndrimeve, trimërisë, guximit e patriotizmit të tij janë pjesë e pandashme e historisë sonë të lavdishme.

“Si një hiperintelektual, mësues i shoqërisë, kritik funksional e largpamës do të mbetet i paharruar në zemrat tona. Ai dhe veprat e tij duhet të zënë vendin e merituar në historinë tonë të re. Baca Adem, edhe sot po na mungojnë këshillat tuaja për bashkim e unitet politik para sfidave të shumta që kemi para nesh. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të cilën sakrifikove shumë”, ka shkruar Jashari.

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi, i njohur si Nelson Mandela i Evropës, vuajti 28 vjet burg në kohën e ish-Jugosllavisë. Pasi u lirua, ai vazhdoi aktivitetin e tij politik.

Me prejardhje nga Lupqi i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik 2018 ndërroi jetë.