Presidenti amerikan, Joseph Biden, ka alarmuar se anulimi i mundshëm i ndihmës financiare për Ukrainën mund të shpije në fitore të shpejtë të Rusisë e madje edhe krizë të re në Ballkan.
“Nëse ne ikim dhe Rusia është në gjendje ta vazhdojë sulmin dhe ta shembë Ukrainën, çfarë mendoni se do të ndodhë në vendet e Ballkanit?” ka pyetur Bideni partiakët e tij në një takim gjatë të premtes, ka shkruar “NBC News”. “Kjo ndryshon dinamikën”.
Siç ka shkruar “NBC News”, në një takim privat gjatë mesjavës me ligjvënës, Bideni dhe këshilltarët më të lartë të sigurisë kanë kërkuar të mbështetet iniciativa për përkrahje të mëtutjeshme të Ukrainës. Bideni është zotuar se Shtëpia e Bardhë do t’i qëndrojë krah Ukrainës “për aq sa të ketë nevojë”.
Ai ka thënë se po që se SHBA-ja heq dorë nga Ukraina, Rusia mund të triumfojë për pak javë apo më shumti pak muaj.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, SHBA-ja dhe vendet perëndimore i kanë dalë në krah Ukrainës e kanë përforcuar krahun lindor të NATO-s, afër Rusisë. Së fundmi, NATO-ja ka njoftuar për stërvitjen më të madhe ushtarake afër Rusisë me mbi 90 mijë ushtarë.
Kosova dhe Ballkani në tërësi janë konsideruar nga ekspertë të shumtë vatra të rrezikshme, për shkak të Serbisë së ndikuar nga Rusia. Autoritetet e Kosovës kanë alarmuar në vazhdimësi për pozicionimet ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën muajve të fundit.