Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama në Tiranë, tha sot se investimet nga SHBA në Shqipëri janë trefishuar gjatë viteve të fundit.
“Sot diskutuam edhe për mënyrat për të forcuar tregtinë dhe investimet tona dypalëshe. Veçanërisht është e rëndësishme të theksojmë, që janë trefishuar që nga 2019-ta investimet e SHBA në Shqipëri. Kjo do të vazhdojë dhe klima e biznesit do të përmirësohet. Ne shikojmë se si ka potenciale të mëdha për të diversifikuar burimet shqiptare të energjisë, për të ndihmuar planetin tonë të përbashkët dhe për të krijuar një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse përmes ndihmës me hidrogjen, burimeve eolike dhe diellore”, tha Blinken.
Ndërkaq nënvizoi se vendimi i Shqipërisë për të strehuar afganët ka një rëndësi të veçantë në zemrën e amerikanëve.
“Dua ta falënderoj Kryeministrin Rama për diçka që është e afërt, pranë zemrës sime, por gjithashtu edhe zemrës së kaq shumë amerikanëve, dhe kjo është bujaria e jashtëzakonshme që populli shqiptar ka treguar, ndërsa ka mikpritur me mijëra të evakuuar afganë, sepse Shqipëria ishte vendi i parë që ofroi ta bënte këtë”, tha Blinken.
“Pata mundësinë që më herët sot të takoja disa prej afganëve të evakuuar në Shqipëri, që janë në proces të marrjes së vizave të posaçme të emigrimit. Ata do të vijnë në SHBA për të vijuar kapitullin e ardhshëm të historisë së SHBA. Janë persona që janë përballur me vështirësi të jashtëzakonshme, por kanë treguar guxim domethënës”, u shpreh Blinken.
“Ajo që pashë unë sot, nuk ishte thjesht mirënjohje për mikpritjen që u është ofruar, por dhe mënyra se si u mikpritën nga populli shqiptar, me një mikpritje tejet të ngrohtë dhe mbështetëse. Është vërtetë e vështirë ta përshkruash se sa shumë nënkupton kjo gjë për njerëz si kolegët e miqtë tanë afganë, që janë në mes të një përvoje çrrënjuese, nëse mund ta quajmë kështu. Ata do të vendosen në Amerikë dhe do t’u ofrojmë të njëjtën mikpritje të ngrohtë, por më duhet ta them se jemi të frymëzuar nga mënyra se si e keni bërë këtë”, nënvizoi Blinken.