Drejtori i CIA-s, Williams Burns, ka thënë se ushtria ruse ka shumë probleme duke filluar nga personeli, pasi që presidenti rus Vladimir Putin javën e kaluar urdhëroi mobilizimin e 300 mijë rezervistëve.
Vendimi i Putinit, nxiti frikë dhe arratisje nga vendi, dhe kjo po vjen në kohën kur Ukraina ka çliruar rajonet që deri së fundmi ishin nën kontrollin e rusëve, transmeton Telegrafi.
“Edhe nëse arrin të mobilizojë 300 mijë ushtarë, ai në fakt po i bën njerëzit mish për top në fron. Shumë prej tyre nuk janë të trajnuar si duhet, tashmë shumë prej tyre nuk do të mund të kryejnë as trajnimin bazik që kanë nevojë si dhe ka mungesë të mbështetjes logjistike. Ushtria e Putinit ka shumë probleme tjera: personeli ushtarak është një prej tyre”, shtoi Burns për CBS.
Sipas të parit të agjencisë së inteligjencës amerikane – CIA, është vështirë të thuhet nëse në këto momente Putin po bën blof apo jo.
Duket se mobilizimi ushtarak i Putinit, është dëshmi se lufta në Ukrainë nuk po zhvillohet sipas planit. Derisa ka paralajmëruar një lëvizje të tillë, Putin ka përmendur si mundësi edhe luftën bërthamore.
“Kur rrezikohet integriteti territorial i shtetit tonë, për ta mbrojtur popullin tonë në Rusi, gjithsesi që do të përdorim të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion. Nuk është blof”, pati deklaruar Putin në ditën që paralajmëroi mobilizimin.
Kreu i CIA-s, theksoi se është vështirë të thuhet diçka në këto momente nëse Putin po bën blof, por komuniteti i inteligjencës amerikane nuk ka parë dëshmi praktike që presidenti rus është pranë përdorimi të armëve bërthamore.
“Duhet të kemi kujdes në indikacionet e përgatitjeve të vërteta. Kreatorët e politikët gjithashtu duhet të shqyrtojnë pasojat e vërteta nga çfarëdo përdorimi i armëve bërthamore”, tha për fund Burns.