Cila është forca e vërtetë e sistemit raketor që bleu Serbia nga Kina

Serbia para një jave pranoi porosinë e radhës për furnizim me armë. Dhe kjo porosi është hiç më pak se një sistem raketor. Presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq tha se do të shërbejë “vetëm për mbrojtje të qiellit” dhe se është porosi e vitit 2019.

Sistemi raketor u ble nga Kina dhe Serbisë iu dorëzua me gjashtë avionë të mëdhenj transportues “Y-20”, të ngjashëm me ata amerikanë “C-3 Hercules”.

Gazeta e pavarur serbe “Danas” të hënën ia ka kushtuar një tekst kësaj blerjeje, rëndësisë që ka për Serbinë, por edhe telasheve që mund t’i nxjerrë këtij vendi me shtetet perëndimore.

Sistemi raketor quhet “Hong Qi – 22” që në përkthim i bie “Flamuri i Kuq”.

U projektua si version i përmirësuar i sistemit raketor “Kai Shan-1”. Prodhues i këtyre sistemeve është Korporata Kineze për Produktet e Hapësirës Ajrore (CASIC).

Baza e saj është në rajonin Jiangnan dhe fabrika njihet me emrin “Baza 061”.

Sistemi që tash iu shit Serbisë nisi të punohet 10 vjet më parë dhe u njoh edhe si FK-3.

Që nga viti 2016, sistemet FK-3 janë të destinuara ekskluzivisht për eksport.

Një bateri e sistemit HQ-22 (FK-3) zakonisht përbëhet nga një radar dhe tri mjete lëshimi. Automjetet e lëshimit më së shpeshti janë të konfiguruara me katër raketa tokë-ajër. Në kushte ideale të radarit, një bateri e vetme mund të gjurmojë dhe shkatërrojë në mënyrë të pavarur deri në gjashtë objektiva.

Ekspertët më së shpeshti e krahasojnë këtë sistem me atë rus “S-300”. Megjithëse ka një rreze më të shkurtër se S-300, FK-3 është sistem shumë më i avancuar, me aftësi për të kontrolluar objektivat gjatë fluturimit, për të korrigjuar trajektoren dhe njëkohësisht për të synuar një objektiv të vetëm me raketa të shumta.

Gjithashtu, këto raketa mund të anashkalojnë masat e mbrojtjes së avionëve (ECM) të njohura si FHS “gjurmë e rreme e nxehtësisë”.

Raketat në këtë sistem mund të gjurmojnë në mënyrë të pavarur objektivat deri në 170 kilometra dhe avionët në lartësi deri në 25 kilometra. Versionet më të fundit, janë të pajisur edhe me sistemin SARH (udhëzim aktiv i radarit), që NATO e quan “Fox One” dhe shpejtësia maksimale e raketës është deri në gjashtë “mach” apo rreth 7.300 km në orë.

Radari mund të gjurmojë 32 objektiva në të njëjtën kohë, nga të cilët kompjuteri zgjedh gjashtë dhe të cilat mund të goditen me gjithsej 12 raketa.

Në teori, një automjet mund të lëshojë deri në 72 raketa. Të dy radarët dhe mjetet lëshuese janë të vendosura në kamionin “Hanyang Special”, me tërheqje 8 × 8. Ndryshe nga S-300 rus, i cili lëshon raketa vertikalisht, HQ-22 i lëshon nga këndi.