Del një propozim i ri për zgjidhjen e ngërçit me grevat: shtesa mujore prej 75 eurosh

Jusuf Azemi, kryetar i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, ka propozuar që shtesa në muaj për punëtorët e sektorit publik të jetë 75 euro, në mes të 100 eurove që po kërkohen nga grevistët dhe 50 eurove të ofruara nga Qeveria në kuadër të pakos së inflacionit.

Që nga 25 gushti shumica e zyrtarëve në sektorin publik është në grevë. Greva ka shkaktuar kaos edhe në procesin arsimor, që ende s’ka nisur për më shumë se 300 mijë nxënës.

Në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Azemi të martën ka propozuar shumën prej 75 euro “që palët të pajtohen, me qëllim që ky kaos të eliminohet”.

Në letrën e tij, Azemi ka përmendur edhe tri pika të tjera për sektorin privat. I është ankuar Kurtit se s’është deklaruar për mospagesë të punëtorëve të sektorit privat që janë pjesë e sistemit shëndetësor, e se nuk ka mundësuar aplikimin e dytë për ata që gabuan në formularin për shtesa prej 100 eurosh. Në fund e ka pyetur Kurti se “pse i ka ndëshkuar me kushtëzimin për dhënien e stimulimit nga 50 euro për punëtorë duke na kushtëzuar me kompanitë private”, duke iu referuar pakos së fundit për përballjen e inflacionit.

Në këtë pako, Qeveria ua ka ndarë nga 50 euro në muaj, nga shtatori, për katër muaj, çdo zyrtari publik. Për sektorin privat, është përfshirë pika që do të përfitohet nëse kompania private ua rrit pagat, e shteti do ta subvencionojë gjysmën e rritjes – në vlerë deri 100 euro.

Grevistët janë në kërkim të 100 eurove shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Ka disa ditë që s’ka pasur fare takim mes sindikalistëve dhe Qeverisë për t’u afruar te një zgjidhje përfundimtare.

Pos 100 eurove shtesa në muaj, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura po kërkon edhe përfshirjen në hartimin e Ligjit për Paga, që tashmë është në konsultim publik si dhe ndryshime në Ligjin për Skemat Pensionale e atij të Sigurimeve Shëndetësore.

Image
Letra e Jusuf Azemit drejtuar Kurtit