Një person ka vdekur e dy të tjerë janë plagosur nga një therje me thikë që ka ndodhur në fshatin Bardhaniq në Komunën e Gjakovës.
Lajmin për Reporterin e ka konfirmuar drejtori i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Lumni Graishta.
“Rreth orës 03:00 të datës 07.07.2020 Policia në Gjakovë është informuar për një rast vrasje në fshatin Bardhaniq. Të gjitha njësitet relevante si njësitet patrulluese, hetuesia, forenzika, prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor i janë përgjigj vendit të ngjarjes. Mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës ndërsa dy personave tjerë iu është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore”, deklaroi Graishta për Reporteri.net.
Ai tha se një person, dyshohet se ka kryer të tri therjet.
Shtetasi i Shqipërisë në orët e mëngjesit dyshohet se ka vrarë bashkëshortin e kushërirës së vet, e po ashtu e ka plagosur edhe kushërirën dhe djalin e saj.
“Sipas informatave të para, i dyshuari V.I. mashkull, shtetas i Republikës së Shqipërisë ka sulmuar me thikë mikun e tij (viktimën), gruan dhe djalin e tij, pas të cilit akt i dyshuari është arratisur”, ka thënë Graishta.
Ndërkohë Reporteri.net mëson se i dyshuari është me probleme mendore.