Diku nëntë persona të armatosur rëndë e të prirë nga ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ishin fotografuar 10 muaj para se të kryhej sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Fotografia ishte realizuar para shtatores së “Car Lazarit” në Mitrovicë të Veriut. Por jo nuk ishte e vetmja fotografi. Në një tjetër, shihet sërish Radoiçiqi, por kësaj radhe me vetëm pesë anëtarë të grupit.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale kundër 45 personave për sulmin e 24 shtatorit 2023 ka përfshirë edhe fotografitë që u bënë nga grupi që kreu sulmin terrorist.
Sipas dosjes, fotografia ishte realizuar më datë 10.12.2022, teksa nëntë muaj më vonë ndodhi sulmi në Banjskë.
“Veprimet kriminale (sulmet) pasqyroheshin edhe me fotografi në kanale të ndryshme të internetit. Bëhet fjalë për propagandë tek popullata civile me fotografi të prezantuara me mbishkrime ‘Kur vëllezërit të kthehen në Kosovë’ që pas ekzaminimit të publikimit rezulton se foto e Millan Radoiçiqit me grupin e tij të armatosur rëndë janë realizuar më datë 10.12.2022” – thuhet në aktakuzë.
45 të akuzuarit e Prokurorisë Speciale për sulmin terrorist në Banjskë janë Millan Radoiciq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vucetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momcilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, person juridik “R” dhe person përgjegjës është R.S.
Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte, një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.
Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.
“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiqit, të cilën e lexoi avokati i tij më 29.09.2024.
Me anë të kësaj letre, ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.
Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe u la që të hetohet në liri.
Më 08.09.2024, e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani tha në një intervistë në “Kallxo Përnime” se urdhri për këtë sulm është dhënë nga homologu i saj në Serbi, Aleksandar Vuçiq.
Ajo insistoi se ky sulm nuk duhet të quhet vetëm si sulm terrorist, por akt agresioni ndaj shtetit.
Që nga shtatori i 2023 e tutje, Policia e Kosovës në dhjetëra raste ka kryer aksione në lokacione të ndryshme në komunat veriore duke gjetur një arsenal armësh që u përdorën e pritej të përdoreshin në sulmin e Banjskës.
Armët, dyshohet se u futën në Kosovë nga rrugët ilegale, të cilat tashmë është njoftuar se veçse janë mbyllur në këto zona.
Hulumtimi i BIRN kishte bërë të ditur se prejardhja e disa prej armëve që u sekuestruan ishte nga Serbia.
BIRN kishte zbuluar se plumbat e sekuestruar nga serbët e armatosur në veriun e Kosovës u prodhuan në Serbi në vitin 2022, ndërsa predha mortajash dhe granatahedhës kaluan nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe në vitin 2018 dhe 2021.
Çështja e Banjskës vazhdon të mbetet temë diskutimi në shumicën e takimeve ndërkombëtare që mbahen për raportet Kosovë-Serbi.
Më 25.06.2024 zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, kishte ripërsëritur se Kosova është përgjegjëse për hetimet e sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë.
Në një konferencë për media, ai tha se hetimet duhet të bëhen nga autoritetet e Kosovës pasi rasti ka ndodhur brenda territorit të saj, teksa shtoi se ende nuk është ndarë me BE-në raporti final i hetimeve të plota.
Po atë ditë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ishte përgjigjur Stanos, duke thënë se si qeveri, kanë përpiluar një raport 48 faqësh në lidhje me sulmin terrorist të cilin ia kanë dërguar BE-së dhe shteteve anëtare qysh vitin e kaluar (2023)./ Kallxo.com