Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur për herë të parë pas raportimeve të mediave serbe që Britania e Madhe është duke e armatosur Kosovën. Vuçiq, sipas mediave serbe, ka thënë se askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë gjë.
Vuçiq ka përmendur edhe Marrëveshjen e Kumanovës.
“Marrëveshja e Kumanovës parasheh KFOR-in si forcë të vetme në Kosovë”, ka thënë ai.
Anglezët nuk janë të parët që i armatosin. Dhe kjo me raketat e rrezikshme, të cilat rezultuan të mira në Ukrainë.
“Pyetja ime për Perëndimin është e thjesht, jo vetëm për Britaninë që po e armatos (Kosovën) me armë shumë të rrezikshme – a jeni ju ata që kërkoni respektimin e ligjit ndërkombëtar çdo herë dhe e shkelni çdo ditë?”, ka pyetur Vuçiq.
E kuptuam mesazhin. Ushtria e Kosovës gjithashtu po armatoset nga amerikanët dhe turqit po trajnojnë pilotët e tyre për të ardhmen.
Ai ka vazhduar: “Pse po i armatosni? Ju pengon kur armatoset Serbia, ndërsa jo kur këtë e bënë Kroacia?”, ka thënë presidenti serb.
Gjatë ditës së djeshme, mediat serbe, mbështetëse të Vuçiq, raportuan që një avion i forcave ajrore të Britanisë së Madhe, që ka zbarkuar të premten në Aeroportin e Prishtinës, ka sjell disa lloje armësh në Kosovë.
Sipas këtyre raportimeve të pakonfirmuara nga KFOR-i, përveç furnizimit, forcat britanike do ta bëjnë edhe trajnimin falas për ushtarët e FSK-së për përdorimin e armëve. Në këto raportime u tha po ashtu që Vuçiq do të kërkonte llogari nga kryeministri britanik Boris Johnson, por Vuçiq nuk ka përmendur diçka të tillë.
Gjatë një interviste për një televizion serb, Vuçiq ka folur gjithashtu edhe për luftën në Ukrainë. Ai ka thënë se tani “gjendemi në një lloj konflikti botëror”.
Vuçiq ka theksuar se kjo situatë e re, pas fundshkurtit të këtij viti, e ka vënë në pozicion të vështirë Serbinë, për shkak të aleancës së ngushtë që gëzon me Rusinë.
Ai ka thënë se mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, ka sjellur pasoja, por sipas tij, pasojat do të ishin edhe më të rënda sikur Serbia t’i vendoste ato ndaj Rusisë, sikur të gjitha shtetet perëndimore.