Muzeumi i njohur ‘Getty’ në Los Angeles pasi e restauroi ka ekspozuar një statujë të rallë prej bronzi të zbuluar në Babunjë të Lushnjës në vitin 2018. Specialistët e Institutit amerikan konsiderojnë si zbulim të jashtëzakonshëm, por e lidhin me kolonitë greke. Rëndësinë e zbulimit e shpjegon për Report tv arkeologu Bashkim Lahi, i cili tregon se gërmimet në Babunjë kanë çuar në të dhëna me shumë rëndësi sa i përket kohëzgjatjes së kolonizimit në bregun e Adriatikut.
Kjo statujë 2500-vjeçare prej bronzi që do të qëndrojë e ekspozuar në Muzeumin ‘Getty Villa’ në Los Angeles deri në 29 janar , është zbuluar në vitin 2018 në Babunjë të Lushnjës… Për vlerat që mbart, Instituti ‘Getty’, një nga më të rëndësishmit në Amerikë, që bëri të mundur restaurimin e saj, por edhe disa nga revistat më me peshë të artit, i kanë dhënë zë…
“Arkeologët që e shqyrtuan këtë statujë ishin të vetëdijshëm se bëhej fjalë për një zbulim të jashtëzakonshëm. Instituti Shqiptar i Arkeologjisë kërkoi ndihmën e ‘Getty-t’, duke ia besuar ‘Kalorësin, ende të mbuluar me dhe’ laboratorit të Muzeut, ku konservuesit e studiuesit kaluan muaj të tërë duke pastruar bronzin dhe duke hetuar origjinën e tij’
“Është një gjetje e rrallë e punuar me bronz dhe daton nga fundi i shekullit.VI dhe fillimi i shekullit.V para Krishtit. Këto lloj punimesh njihen kryesisht që nga shekulli i VIII para Krishtit por të realizuara mbi qeramikën e pikturuar, ndërsa në bronz siç është rasti ynë, është diçka shumë e rrallë”, shpjegon ai.
Në faqen zyrtare të ‘Getty-t’, por edhe nga kuratorët e ekspozitës, ndërsa përshkruhet artefakti, theksohet se është gjendur në një vendbanim të lashtë grek dhe se është një statujë arkaike greke e shek.V. Arkeologu Lahi, sqaron se vetë gërmimi është pjesë e një projekti të madh që konsiston në thellimin e të dhënave mbi procesin e ‘Kolonizimit në Ilirinë e Jugut’ ku në focus ka qenë rasti i Apolonisë. Madje nëë bazë të rezultateve, studiuesit mendojnë se mund të bëhet fjalë për një qytet bij të Apolonisë.
“Mendohet se jeta aty ka filluar nga fundi i shekullit VI dhe fillimi i shekullit V dhe vijoi deri në fundin e shekullit IV, fillimi i shekullit III. Është një vendbanim, banorët e të cilit duket se nga fundi i shekullit të VI janë shkëputur nga Apollonia dhe janë vendosur në këtë zonë. Kjo është një e dhënë më tepër nga rezultatet e gërmimeve që i hapin dritë më tej Procesit të Kolonizimit në Bregdetin e Adriatikut. Deri tani është menduar se në territorin shqiptar ky proces ka qenë afatshkurtër. Mendohej se kishte filluar diku nga fundi i shekullit VII dhe ka zgjatur deri në fillim të shekullit të VI. Si vende përfaqësuese kemi njohur Dyrrahun dhe Apoloninë, por tani po del edhe Babunja, që është një qytet bij dhe daton afro një shekull më vonë se Apolonia. Çka tregon se procesi i kolonizimit ka qenë në vazhdimësi dhe jo një proces i kufizuar kohe”, thotë ai.
Gërmimet në Babunjë, një vendbanim prej 6 hektarësh i mbrojtur me një sistem të fuqishëm fortifikues të ndërtuar me gurë lokal shtupi, vijuan edhe në vitin 2021 me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Materiale. Aktualisht mungesa e fondeve e mban procesin ‘të ngrirë’.
“Gërmimet në Babunjë për momentin janë të ndërprera, për çështje financimesh, por si projekt ai vazhdon. Natyrisht ka mjaft përmbajte dhe nëse do të kishim mundësi financiare dhe interesin e institucioneve, ne mund ta kthenim atë në një Park Arkeologjik dhe me përfitime materiale për zonën dhe kulturën”, tregon më tej studiuesi.
Në përfundim të ekspozitës, statuja e ‘Kalorësit nga Babunja’ siç e kanë quajtur arkeologët tanë do t’i kthehet vendit. -“Duhet të marrim një vendim se ku do të ekspozohet. Personalisht, do të propozoja Muzeun Kombëtar për vlerat që ka. Por për çdo institucion që do ta marrë përsipër ekspozimin është përgjegjësi e madhe sepse kërkon kushte të veçanta ruajtje”, shton Lahi.