Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të hënën se Suedia nuk duhet të presë mbështetje nga vendi i tij për anëtarësim në NATO, pas protestave të fundjavës në Stokholm.
“Suedia nuk duhet të presë mbështetje nga ne për [anëtarësim] në NATO”, tha Erdogan në përgjigjen e tij të parë zyrtare pasi ndodhi ky incident, ku në protestën e së shtunës në kryeqytetin suedez u dogj Kurani – libri i shenjtë i myslimanëve.
Turqia është zemëruar nga leja që ka marrë Rasmus Paludan – një politikan suedezo-danez, veprimet anti-islamike të të cilit vitin e kaluar nxitën trazira në Suedi – për të organizuar një protestë para Ambasadës turke në Stokholm.
Erdogan tha se djegia e Kuranit ishte një fyerje për të gjithë, veçanërisht për myslimanët. Ai kritikoi gjithashtu autoritetet suedeze për lejimin e zhvillimit të protestës para Ambasadës turke.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO. Por, atyre u duhet miratimi në Parlamentin turk që t’i bashkohen aleancës perëndimore ushtarake.
Por, Ankaraja ka paraqitur disa kërkesa për Suedinë, siç është ekstradimi i personave që ajo i akuzon për terrorizëm apo që kanë qenë pjesë e grusht-shtetit të dështuar ushtarak të vitit 2016.
Turqia argumenton se Suedia nuk ka bërë mjaftueshëm sa i përket shtypjes së grupeve kurde, që Ankaraja i sheh si “terroristë”.