Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se i ashtuquajturi “Plan i paqes për Lindjen e Mesme”, i shpalosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka për qëllim aneksimin e territoreve të pushtuara palestineze, raporton AA.
Duke folur në takimin e krerëve provincialë në selinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara, Erdoğani tha se Turqia asnjëherë nuk do ta pranojë planin e SHBA-së, pasi, siç theksoi, ai “grabit” qytetin e Jerusalemit.
“Nuk e njohim dhe nuk e pranojmë kurrë këtë plan, i cili në të vërtetë grabit tërësisht Jerusalemin dhe eliminon plotësisht Palestinën”, theksoi presidenti turk.
“Nëse s’mund të mbrojmë privatësinë e Aksasë, nesër nuk mund të pengojmë sytë e ligë që kthehen drejt Qabes. Andaj, Jerusalemi është vija jonë e kuqe”, deklaroi Erdoğan, duke potencuar se Kudsi është çelësi i paqes në botë, “ashtu siç ka qenë për mijëra vjet”.
“Nëse pema e paqes, Jerusalemi, rrëzohet, atëherë e tërë bota do të ngelet nën të”, theksoi Erdoğan.
Presidenti Erdoğan kritikoi vendet e botës islame për heshtjen në lidhje me Palestinën.
“Kur shikoj qëndrimet e shteteve në botën islame, më vjen keq për gjendjen tonë. Kryesisht, Arabia Saudite, pse nuk bën zë, kur do të bësh?”, tha Erdoğan.
“Braktisja e Jerusalemit në kthetrat e përgjakura të Izraelit do të jetë e keqja më e madhe ndaj gjithë njerëzisë”, shtoi ai.