Pak njerëz e dinë që kjo grua u desh të përballej në gjyq me kunetërit e saj që donin t’ia merrnin shtëpinë me bindjet e prapambetura se një gruaje, veç pse është grua, nuk i takonte hisja te burri. Pa menduar bile as për dhimbjen e saj, dhe për kujtimet që ajo i mbron me fanatizëm edhe pas njëzet vitesh.
Ferdonije Qerkezi, vazhdon dhimbshëm duke treguar se ç’përjetoi nga familja e bashkëshortit, e cila, në një realitet normal, do të duhej t’i gjendeshin pranë.
Ferdonije Qerkezi: Por, ndërkohë, unë jam hidhëruar shumë. Më rëndë m’u ka dok kjo se ajo çfarë më bënë serbët. Se serbët m’i morën djemtë se kishin synim me i ba zullum shqiptarëve. Pse çohet K. e më qet në gjyq me vëllezërit e vet nuk e kam mendua. Më shumë më ka mbështet mëhalla, Gjakova e krejt Kosova se ata. Vëllau i madh M., H., K. dhe motra Halimit. E të motrës madhe Halimit më kanë mbështetur shumë, por jo edhe të motrës dytë. Kur kam marrë unë me bo pllakën që u shpall shtëpia muze ata kanë reaguar. Pllaka është zyrtarisht e bërë dhe është shpallur shtëpia muze, kur ka qenë ish-ministri Haraqija. Aty kanë reaguar këta dhe kam pasur lloj – lloj provokimesh. Më kanë qit në gjyq për me ma marrë pasurinë me idenë se s’ka kush ta trashëgojë tash. Edhe këtu jam lënduar më së shumti. Faleminderit prej fqinjëve dhe lagjes time, popullit të Kosovës dhe Gjykatës që më kanë mbështetur dhe sot jam këtu ku jam. Më shumë përkujdesën të huajt se këta.
Pas kësaj bisede të përshkuar me emocione, zonja Ferdonije, vazhdoi të na prezantonte me shtëpinë e saj muze, e cila ngërthen në vete një histori të dhimbshme të së kaluarës, e cila duhet të na shërbejë si mësim për ta vlerësuar më shumë të sotmen që po e jetojmë./MekuliPress