Më 12 shtator të vitit të kaluar shumë flamuj të Serbisë u shfaqën në stadiumin e Bukureshtit, ku u zhvillua ndeshja kualifikuese për “Euro 2024”, Rumani – Kosovë.
Gjatë ndeshjes huliganët rumunë kishin bërë thirrje si “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”.
Flamuj serbë dhe thirrje anti-Kosovë kishte edhe të mërkurën pasdite në Rumani, përkatësisht në “Central Stadium Hagi Academy” në Constanta, ku u zhvillua ndeshja në mes të futbollisteve të Farul Constantas dhe kampiones së Kosovës, Mitrovicës. Gjysmëfinalen e një prej shumë miniturneve të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve e fitoi Farul Constanta me rezultatin 4:0.
Në fakt, ndeshja zgjati më shumë sesa pritej. Kjo për shkak të ndërprerjes në minutën e 27-të. Deri te ndërprerja erdhi pas kërkesës së zyrtarëve të klubit Mitrovica për heqjen e flamurit të Serbisë dhe tifozëve që provokuan, bënë fyerje ndaj shqiptarëve dhe thirrjeve anti-Kosovë. Dhe, ashtu edhe ndodhi. Ndeshja rifilloi vetëm pasi nga tribuna kryesore e stadiumit u largua flamuri serb dhe disa tifozë me qëndrime kundër Kosovës.
Kryetari i klubit kampion të Kosovës për futbolliste, Mitrovica, Hajrullah Haxhiu, ka thënë se do të ankohen në UEFA për provokimet, fyerje në baza kombëtare dhe shfaqjen e flamurit të Serbisë në ndeshjen kundër Farul Constantas.
“E kemi vërejtur se një flamur i Serbisë është vendosur në pjesën ku ishin tifozët e klubit rumun. Dhe ata gjatë tërë kohës kanë provokuar. Ne e kemi njoftuar delegaten dhe gjyqtaren. U kemi thënë se pa e hequr flamurin dhe pa i larguar ata tifozë, ne nuk e vazhdojmë lojën. Pas asaj situate na ra ritmi i lojës. Ne nuk pranuam ta vazhdonim lojën pa e hequr flamurin e Serbisë dhe tifozët. Na është kërkuar nga delegatja e ndeshjes për të treguar se përveç flamurit të shfaqur cilat ishin provokimet e tjera. I kemi dëgjuar duke na sharë neve shqiptarëve dhe po ashtu kanë bërë thirrje anti-Kosovë si “Kosova është Serbi”. Do të dërgojmë edhe ankesë në UEFA. Kanë fyer në baza kombëtare”, ka thënë Haxhiu për KOHËN të mërkurën.
Për ndërprerjen e ndeshjes shkaku i shfaqjes së flamurit kanë shkruar të mërkurën edhe mediumet rumune. Gazeta rumune “GSP” e ka cilësuar skandal.
“Skandal i madh në ndeshjen e Farulit në Ligën e Kampionëve. Flamujt largohen për shkak të mesazhit me konotacion politik”. Kështu është titulli i shkrimit i gazetës rumune.
Më pas ka përshkruar edhe gjithë situatën që ndodhi në tribuna dhe vendimin e delegates së ndeshjes.
“Ndërprerja e ndeshjes nga gjyqtarja estoneze, Reelika Turi, ka revoltuar tifozët, të cilët nisën të brohorasin ‘Kosova është Serbi’. Ka ndërhyrë edhe delegatja e ndeshjes, Ewa Gajweska nga Polonia. Pas disa diskutimeve në të cilat ishin përfshirë edhe zyrtarët e klubit, u mor vendimi që flamuri i Serbisë të largohej dhe ndeshja rifilloi. Tifozët u bindën, por gjatë largimit nga tribunat vazhduan të këndonin dhe të bënin gjeste të turpshme”, shkruan “gsp.ro”.
Nuk është hera e parë që në stadiume të ndryshme të Evropës ka pasur thirrje anti-Kosovë. Të tilla kishte edhe në Prishtinë, kur Kosova e zhvilloi më 16 qershor ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024” kundër Rumanisë.
Thirrjet që ishin dëgjuar në “Fadil Vokrri” nga një grup huliganësh janë provokimi më i rëndë i tifozëve mysafirë që është bërë deri më tani në ndeshjet e Kosovës në shtëpi. Kosova të premten luan sërish me Rumaninë, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka…
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të…
Gjashtë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe…
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, të premten është shoqëruar në Policinë e Kosovës,…
Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…