“Forcat e armatosura të Serbisë në gjendje gatishmërie” – Daçiq “sulmon” KFOR-in

Kryediplomati i Serbisë, Ivica Daçiq, ka hedhur akuza në drejtim të KFOR-it, pas prezencës së trupave paqeruajtëse tek objektet komunale në komunat veriore.

Daçiq ka zgjedhur Radio Televizionin e Serbisë që ta kritikojë KFOR-in, duke thënë se nën pretekstin e paqes, po i mbrojnë kryetarët e sapozgjedhur të komunave veriore të Kosovës.

“Tani po i mbrojnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes, duket se po i mbrojnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Ata nuk mund të jenë kryetarë komunash në komunat serbe, të cilët nuk janë zgjedhur nga serbët”, citohet të ketë thënë Daçiq.

Sipas mediave serbe, ai ka deklaruar se forcat e armatosura të Serbisë janë në gjendje gatishmërie.

“Nuk do të lejojmë viktima serbe për shkak të papërgatitjes së bashkësisë ndërkombëtare dhe aventurizmit luftarak të Kurtit”, citohet të ketë thënë më tej ai.