Baza Detare e Pashalimanit u shndërrua për rreth dy javë në teatrin më të madh stërvitor të Forcave të Armatosura për këtë vit.
Efektivë nga katër kompanitë e Batalionit të Forcave Speciale, të mbështetur nga anijet e Forcës Detare dhe helikopterët e Forcës Ajrore, testuan dhe rritën me tej aftësitë dhe kapacitetet e tyre për t’u përballur me situata të ndryshme që mund kërcënojnë sigurinë dhe paqen.
Gjatë stërvitjes dyjavore, trupat e Forcave Speciale improvizuan skenarë të ndryshëm, në tokë dhe në det.
Ndërhynë nga toka duke goditur dhe kontrolluar mjete dhe të dyshuar për transport të lëndëve plasëse, testuan aftësitë e bordingut duke u infiltruar nga ajri dhe deti në një anije të dyshuar, goditën elementë kriminalë dhe terroristë me anë të zbarkimit nga deti si dhe rritën kapacitetet e zhytësve të Batalionit Special.
Në Ditën e Vizitorëve të Shquar të kësaj stërvitjeje ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i cili shoqërohej nga komandantët e forcave kryesore.
Gjeneral brigade Kollçaku e vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin mes tre forcave duke i përgëzuar jo vetëm për aftësitë e treguara gjatë stërvitjes, por edhe për angazhimin e tyre gjatë periudhës së pandemisë.
Më tej, shefi i Shtabit i siguroi trupat pjesëmarrës në stërvitje dhe gjithë ushtarakët shqiptarë për përmirësimin e kushteve të punës dhe stërvitjes, modernizimin e FA me armatim, mjete dhe pajisje, pa harruar trajtimin financiar të tyre.
Stërvitja e Forcave Speciale në Pashaliman, në bashkëpunim me Forcën Detare dhe atë Ajrore është e para e këtij niveli për të këtë vit në Forcat e Armatosura, të cilat kanë qenë të angazhuara në përballimin e pasojave të shkaktuara nga pandemia.