Partia e ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” dhe aleatët e Marin Le Pen kanë fituar raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme, me epërsi të theksuar ndaj aktorëve të tjerë politikë. Rezultatet e hershme të shpallura nga agjencia Ipsos Francë tregojnë se partia “Tubimi Kombëtar” ka marrë rreth 34% të votës popullore.
Kjo do të thotë se kjo partia mund të fitojë një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare prej 577 vendesh më 7 korrik, kur do të mbahet raundi i dytë.
Udhëheqësja e “Tubimit Kombëtar” Marine le Pen, tha se francezët e kanë vendosur partinë e saj përpara dhe “pothuajse kanë fshirë” partinë e Macron-it. Ajo bëri thirrje për një shumicë absolute në raundin e dytë.
“Asgjë nuk fitohet dhe raundi i dytë është vendimtar. Kemi nevojë për një shumicë absolute në mënyrë që Jordan Bardella të emërohet pas tetë ditësh kryeministër.”
Edhe kandidati për kryeministër Jordan Bardella iu drejtua gjithashtu mbështetësve pak pas daljes së rezultateve paraprake.
“Populli francez iu përgjigj thirrjes për të votuar, me nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në 40 vitet e fundit. Përgjigja është e qartë, ata kanë votuar për ndryshim… Është e qartë se shumica presidenciale është braktisur.”
Aleanca e krahut të majtë, Fronti i Ri Popullor (LFI, Socialistët, të Gjelbrit, Komunistët), po kalon një çast të mirë politike duke u renditur e dyta me 28.1%. Ky mund të bëhet blloku i dytë më i madh parlamentar pas votimit në raundin e dytë.
Zgjedhjet ndërkaq ishin dërrmuese dhe të dhimbshme për partinë e qendrës së presidentit Emmanuel Macron, që mori vetëm 20.3 deri 22% të votës popullore sipas Ipsos Francë. Partitë e qendrës nuk mundën dot të ndalin vrullin e të djathtës dhe të majtës.
Menjëherë pas publikimit të rezultateve, presidenti Emmanuel Macron u bëri thirrje votuesve të bllokojnë të djathtën ekstreme në raundin e dytë, që është vendimtar për zgjedhjet.
“Përballë Tubimit Kombëtar, ka ardhur koha për një aleancë të gjerë, qartësisht demokratike dhe republikane,” tha ai në një deklaratë.
Me këto rezultate, Franca po hyn në një periudhë pasigurie dhe paqëndrueshmërie të thellë politike.