Slivova ka rezultuar “pozitive” dhe “shumë e suksesshme” në një studim të fundit të “Western Tethyan Resources” për pasuri nëntokësore. Miniera e arit në këtë fshat në dalje të Prishtinës ka rezultuar të ketë vlerë aktuale të arit rreth 27 milionë dollarë, ndërsa në projektin që pritet të zgjasë 7 vjet, pritet të nxirren afro 170 milionë dollarë ari.
“Proactive”, uebfaqe britanike që merret me hulumtime në këtë fushë, të mërkurën ka shkruar se si WTA ka përfunduar testimin preliminar të minierës dhe se rezultati ka qenë “i shkëlqyeshëm”. Aty theksohet se çdo vit, sipas parashikimeve, mund të nxirren rreth 13 mijë ons (368 kilogramë ari).
Të dhënat janë konfirmuar për KOHËN edhe nga Mentor Demi, shef ekzekutiv i “Western Tethyan Resources”, kompani përgjegjëse për Slivovë. Ai ka bërë të ditur se licenca për këtë minierë është nën zotërim të një kompanie kanadeze, ndërsa WTA është duke blerë projektin dhe është përgjegjëse për hulumtim e zhvillim.
Ai ka konfirmuar se miniera është e pasur me xehe ari dhe argjendi.
Sipas të dhënave që ka ofruar ai, çdo vit pritet të nxirren rreth 13 mijë ons, dhe se përllogaritja bëhet me çmimin mesatar të arit në disa vjet, prej 1835 dollarësh për ons.
Demi ka thënë se “projekti akoma ka nevojë për studimin detal të fizibilitetit dhe kompania është duke punuar në atë drejtim, mirëpo bazuar në resurset aktuale parashihet të zgjasë së paku 7 vjet”.
Bazuar në këto llogaritje, në një çmim prej 1835 dollarësh për ons, dhe planifikimit për nxjerrjen e 13 mijë onseve çdo vit, totali del të jetë rreth 166 milionë euro.
Demi ka thënë po ashtu se deri tani janë investuar 10 milionë euro, ndërsa “investimet e mëdha priten tani me fillimin e studimit në detaje dhe zhvillimin e minierës”.
Shefi i WTR-së ka thënë po ashtu se duke përllogaritur edhe koston e operimit dhe investimet kapitale, totali i kostos së zhvillimit të minierës është rreth 130 milionë euro.
Kjo kompani ka licencë hulumtimi 100 për qind nën zotërim të lëshuar nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka shtuar Demi.
Sipas tij, nga fitimi nga nxjerra e metaleve të projektit, Qeveria e Kosovës përfiton 5 për qind. Demi ka thënë se Qeveria “është e obliguar pastaj që 20-përqindëshin e këtij 5-përqindëshit ta kthejë mbrapa si investim në zonën ku zhvillohet miniera”.
Pos miliona eurove zbulim në Slivovë, Demi ka thënë se kompania është aktive edhe në zona të tjera në Kosovë dhe rajon.
“Kompania veçse është shumë aktive në Kosovë dhe ka edhe zona të tjera hulumtuese për ari-bakër në Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri, Gjilan dhe ka aplikacione për licenca edhe në veri, në Leposaviq e Zubin-Potok. Gjithashtu kompania është aktive edhe në Maqedoni, Bullgari dhe është duke u zgjeruar edhe në Greqi”, ka thënë ai.