Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, është ankuar kundër vendimit të Gjykatës së Mitrovicës, e cila e ka dënuar me tre vjet e gjysmë për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, në njërën nga kafiteritë e Skenderajt.
Geci ka kërkuar nga gjykata që të lirohet nga akuzat që e rëndojnë sepse vrasja ka ndodhur derisa ka qenë i tronditur meqë ai ishte paralajmëruar edhe nga policët e Kosovës se jeta e tij është në rrezik.
Ai shprehu keqardhje për rastin e ndodhur mirëpo pretendon se e ka bërë për të mbrojtur veten.
“Mua më vjen keq që ka ndodh ky rast, por mua shteti ka dështu me më mbrojtë kështu që është mëritë që unë jam gjallë dhe e kam mbrojt veten, kur policët të vin te shpia e të thojnë që e ki jetën në rrezik, e ky person e mbron veten atëherë unë jam fajtor që jam gjallë” – u shpreh i akuzuari Geci.
Avokati i palës së dëmtuar, Sokol Dobruna, kërkoi nga gjykata që të shqiptojë dënim për vrasje të rëndë, e jo sipas ricilësimit të veprës si vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore.
“I pandehuri e ka gjujt viktimën 4 herë, shtrohet pyetja pas herës së parë pse e ka gjujt edhe 3 herë dhe kjo është indikative, unë e mohoj këtë gjendje të tronditur dhe kjo vërteton qëlllimin e vrasjes me paramendim” – tha avokati Dobruna.
Gani Geci akuzohet se në gusht të vitit 2014 në ballkonin e kafiterisë “N’Qosh”, e kishte privuar nga jeta, Ruzhdi Shaqirin, me të cilin kishte pasur një konflikt të mëhershëm.
Prokuroria pretendon se në kohën kur kishte ndodhur vrasja, Geci ishte duke dalë nga kafeteria dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, ndërsa Ruzhdi Shaqiri më 7 persona të tjerë kanë qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathtë të ballkonit.
Sipas aktakuzës, përderisa Geci po dilte nga lokali kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, dhe kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët, e kishte parë Ruzhdi Shaqirin, i cili kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër.
Aktakuza përshkruan se Geci i kishte thënë të ndjerit Shaqiri, “a i ke mbledhur pleqtë për t’u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10”.
Sherri përshkruhet se kishte filluar kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gecit “zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj”, thuhet në akuzë.
Siç përshkruhet në aktakuzë derisa Shaqiri ishte duke thënë këto fjalë Geci kishte ngritur dorën e djathtë pas shpine dhe duke u ndjerë i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri e kishte nxjerrë revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.
Për këto pretendime të prokurorisë, Gani Geci gjatë gjithë kohës ishte deklaruar i pafajshëm për vrasje të rëndë ndërsa për të njëjtën vepër ishte dënuar më parë me 4 vite e gjysmë nga Gjykata e Mitrovicës.
Rasti me vendim të Gjykatës së Apelit ishte kthyer në rigjykim, e tani është përsëri në Apel.