Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka përsëritur thirrjen për deeskalim të situatës në veri të Kosovës, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës të mërkurën nga forcat serbe.
Ai e ka shpërndarë postimin e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, ku shprehet shqetësimi se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet e tyre në Kosovë, ose t’i ndalojnë aktivitetet ekzistuese, pas zhvillimeve të fundit politike.
Njëkohësisht ky është reagimi i parë i diplomatit gjerman, që nga rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe. Kryeministri Kurti të enjten para gazetarëve u shpreh i çuditur me “heshtjen” dhe “tolerancën” e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovë, të mërkurën në Leposaviq.
Ai kërkoi që ndërkombëtarët të bëjnë trysni ndaj Beogradit zyrtar dhe kësisoj ta dënojnë aktin që sipas tij, Serbia e ka bërë të mërkurën ndaj tre policëve kosovarë.
Nga ana tjetër, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare theksoi se lajmet për jostabilitet politik cenojnë ndjeshëm besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë dhe se kjo ka një ndikim negativ në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe e dëmton Kosovën si lokacion për investime dhe biznes.
“Dëmet shqetësuese për perspektivën ekonomike të Kosovës janë tashmë në horizont, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj edhe përballë komunitetit të biznesit. E ripërsërisim këtë thirrje nga Shoqata Gjermano-Kosovare e Bizneseve për deeskalim të menjëhershëm”, shkroi Rohde në Twitter.