OFL i ka dërguar formularin tre të dënuarve për krime të rënda në Tiranë.
Mes tyre edhe edhe Taulant Neçaj, i dënuar për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, “Kundërshtim i punonjësit të Rendit Publik” dhe “Shkatërrim prone”.
Neçaj u arrestua maj të vitit 2017 për gjobvënie dhe njihet si nipi i “të fortit” të Tropojës, Filip Gjeloshi, i skeduar për disa ngjarje kriminale nga Policia.
Në atë kohë, Neçaj i kishte vendosur gjobë 10 000 euro një vajze nga Shkodra nën kërcënimin se do t’i publikonte foto intime nëse nuk bënte pagesën. Policia zhvilloi një operacion të gjerë për arrestimin e tij, e cili rezultoi edhe me mjaft dëme materiale për shkak të përplasjes së makinave, shkruan abcnews.al.
Skeda
Taulant Neçaj rezulton edhe me precedentë të mëparshëm penalë, të paktën për 3 ngjarje të dokumentuara.
Më 21 janar të vitit 2010 ai ishte protagonist në rrëmbimin e një vajze 15-vjeçare, e cila u bë “shënjestër” e tre personave.
Vajza e mitur për dy ditë me radhë u mbyll në një shtëpi nga tre të rinjtë, duke u bërë pjesë e dëfrimeve të tyre, por nuk u abuzua seksualisht nga ata.
Dy vite më vonë, makina e Taulant Neçajt aksidenton me një mjeti tip “Audi A4” kalimtarin Vlash Simoni, të cilit nuk i jep as ndihmën e parë, por largohet nga vendngjarja.
Mjeti “Audi” rezultoi në pronësi të Neçajt, por ai vetë deklaroi në Polici se nuk kishte qenë në drejtim të makinës, por i vëllai, i cili u dënua me një vit burg.
Ndërsa më 6 korrik të vitit të kaluar, Taulant Neçaj u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim, por Gjykata e Apelit vendosi që i riu të dënohej me provë.
Neçaj ishte shpallur fajtor për shkak se më 23 dhjetor të 2014-ës, në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë, Policia i gjeti në makinë një sasi prej 15.40 gramësh hashash.