Haxhiu: Thaçi dukej në siklet të madh, edhe kërcënimin e bëri me zë të dridhur

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklarimeve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për partinë e saj, Lëvizjen Vetëvendosje.

Thaçi sot ka mohuar se e ka sjellë deputetin Behgjet Pacolli me veturë nga Shqipëria, teksa VV’në e quajti ndërmarrje kriminale.

Thaçi ka reaguar pasi ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, tha se Presidenti i Kosovës mbrëmë ka kaluar kufirin për në Shqipëri dhe për këtë nuk është njoftuar Protokolli i shtetit.

Sveçla ka hedhur dyshime se presidenti Hashim Thaçi mund ta ketë futur mbrëmë deputetin Behgjet Pacollin në Kosovë, teksa ka deklaruar se nëse Thaçi e ka takuar Pacollin, edhe ai do t’i nënshtrohet karantinës ose vetizolimit.

Haxhiu, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka thënë se Thaçi dukej në siklet të madh.

Sipas saj, edhe kërcënimin e bëri me zë të dridhur.