Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend e edhe ato brenda partisë së tij, ka bërë një krahasim të situatës së tanishme me atë të para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur partia e tij ishte detyruar ta shkarkojë Nexhat Dacin nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Haziri në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova, i pyetur për rrëzimin e qeverisë, dhe kundërshtimin e këtij vendimi nga figura që janë edhe në krye të partisë, ka dhënë një përgjigje indirekte se pse LDK është e detyruar të ndjekë këtë rrugë, përcjell Reporteri.net.
Sipas tij, bëhet fjalë për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka thënë se LDK kur janë në pyetje këto raporte, partia e ka të qartë se cilën rrugë do të duhet të ndjekë.
Haziri e ka sjellë në kujtesë situatën e vitit 2006, të cilën e ka krahasuar me situatën e tanishme. Në atë kohë sipas tij, LDK ishte detyruar të shkarkojë nga kryetari i Kuvendit, Nexhat Dacin, pasi ai me sjelljen e tij politike, ishte bërë jo i përshtatshëm për bashkëpunim nga Ambasada Amerikane në Kosovë.
Madje, pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, edhe pse Daci shihej natyrshëm si personi që do ta zëvendësonte atë në krye të partisë, në bazë të përkrahjes që gëzonte te elektorati i LDK’së, por pavarësisht kësaj, kjo nuk iu lejua.