Haziri, Qeverisë: Nëse ju besoni në mbyllje e karantinë, jeni rrast gabim

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherësh edhe nënkryetar i LDK’së, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, derisa ka dalur kategorikisht kundër një mbylljeje tjetër.

Haziri, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se nuk është koha masave muskulore, por e vaksinimit masiv.

“Nuk është kohë e masave muskulore të kësaj Qeverie, por plani për vaksinim dhe imunizim kolektiv. Ne duam jetë dinamike e zhvillimore për të gjithë dhe imunizimi e garanton këtë. Nëse ju besoni në mbyllje e karantinë, atëherë jeni gabim. Rrast gabim!”, ka shkruar ai.

Reagimi i tij vjen pas lajmërimit nga Ministria e Shëndetësisë për masa të reja të parandalimit të transmetimit të koronavirusit.

Rikthimi i orës policore, reduktimi i kapaciteteve të punës së gastronomisë, shtyrja e vitit të ri shkollor dhe shtimi i punëtorëve shëndetësore dhe inspektorëve, janë disa nga masat që pritet të zyrtarizohen. Që dy ditë rresh, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po zhvillon takime me përfaqësues të veprimtarive të ndryshme për këto masa.