I plotëson kushtin Greqisë, qeveria miratoi që në dhjetor vetëidentifikimin si minoritar

Shtate vite nga hyrja në fuqi e ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare, një muaj më parë, qeveria shqiptare ka miratuar aktet nënligjore në mbledhjen e 26 dhjetorit të 2024.

Vendimi i qeverisë shqiptare çuditërisht është zbuluar së pari nga mediat greke dy ditë më parë, dhe asnjë gazetar shqiptar që konsulton vendimet e qeverisë ne uebsajtin zyrtar nuk mundi ta gjejë atë ditën e 26 dhjetorit. Ndërsa sot vendimi është i dukshëm në faqe, shkruan A2 CNN.

Të dhënat e censusit kanë qenë të pamjaftueshme, për këtë arsye qeveria i ka dhënë të drejtë çdo shtetasi që me anë të një formulari të nënshkruar me të dhëna bazike të shprehë pretendimin e tij se i përket një minoriteti të caktuar në Shqipëri.

Këto kërkesa që mund të bëhen nga çdo cep i territorit shqiptar do të shqyrtohen nga një komision që do të ngrihet në Ministrinë e Brendshme.