Më shumë se 700 persona kanë humbur jetën në Itali në 24 orët e fundit, ndërsa në total koronavirusi ka marrë mbi 14 mijë jetë njerëzish.
Që prej shpërthimit të pandemisë janë prekur rreth 118 mijë vetë në shtetin fqinj, ndërsa ditën e fundit rastet e reja paraqitën një trend në rënie. “Falë ngadalësimit të përhapjes së koronavirusit, e konfirmuar edhe nga Instituti i Shëndetësisë, spitalet mund të marrin frymë”, thekson kreu I Mbrojtjes Civile në Itali, Angelo Borrelli, i cili këshilloi që të ndiqen me përpikmëri masat e vendosura nga qeveria.
Ai nuk jep data konkrete se kur mund të hiqet urdhëri i izolimit. Borrelli thekson se nisja e një faze të reja në pandeminë Covid-19 varet nga përmirësimi i situatës, ndërsa piku pritet të vazhdojë deri më 13 prill.
Sa i përket rikthimit në normalitet, është një vendim që i takon qeverisë, qartëson Këshilli Superior i Shëndetësisë. Ndërkohë, gjatë së premtes humbën jetën dhe dy mjekë të tjerë nga virusi pandemik, duke çuar bilancin e viktimave në sistemin shëndetësor në 72.
Papa Françesku ka dhënë kontributin e tij për Spitalin e Bergamos, duke dhuruar 60 mijë euro.
Lombardia është rajoni më i goditur në Itali, por për të pestën ditë radhazi po mban një trend gjithnjë e në rënie sa i përket rasteve të reja me koronavirus.
Në veri, rregullat e karantinës po respektohen me përpikmëri, ndryshe raportohet situata në jug. Qytetarë të shumtë në Napoli nuk kanë respektuar distancën sociale si dhe masa të tjera të sigurisë.
Përtej lajmeve të trishta, nga Italia ka edhe fije shprese. Një foshnje, i infektuar me Covid-19, është shëruar në Valle d’Aosta. Bashkë me të, janë shëruar prindërit dhe gjyshërit.